Prokuroria Themelore në Gjilan, ajo në Ferizaj, në Mitrovicë si dhe prokuroria në Gjakovë janë aktivizuar për t’i trajtuar shtatë raste penale, të cilat lidhen me zgjedhjet e 9 shkurtit. Në dy prej këtyre komunave, janë ngritur dyshime edhe për kontrollimin e votës, nëpërmjet skemës që njihet si “treni bullgar”
Shtatë raste të keqpërdorimeve gjatë procesit zgjedhor të 9 shkurtit janë evidentuar nga katër Prokurori Themelore në Kosovë.
Sipas të dhënave të organit të akuzës në Gjilan, në Ferizaj, në Mitrovicë dhe në Gjakovë, hetimet në këto komuna kanë nisur për disa vepra penale.
Në Gjilan, sipas Prokurorisë janë dy raste.
“Më Prokurorinë Themelore në Gjilan, janë evidentuar dy (2) raste gjatë procesit zgjedhor, për të cilat është autorizuar policia që të ndërmarrë veprime hetimore. Rastet janë iniciuar si ‘Cenimi i fshehtësisë së votimit’, nga neni 215 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, kanë thënë në Prokurorinë e Gjilanit.
E, nga Prokuroria në Ferizaj, Policia është autorizuar që të ndërmarrë veprime hetimore mbi dyshimet për dukurinë e njohur si “treni bullgar”.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka një rast në komunën e Shtimes, për shkak të pretendimeve të disa partive politike në lidhje me fletëvotime të pavulosura pas numërimit të tyre dhe dyshimeve për metodën ‘treni bullgar’. Lidhur me rastin në fjalë, Prokuroria ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe për grumbullimin e informacioneve lidhur me këtë çështje”, kanë thënë për KOHËN në Prokurorinë e Ferizajt.
Tri raste të keqpërdorimeve janë duke u hetuar edhe nga Prokuroria në Mitrovicë.
“Është një rast në Mitrovicën e Jugut, një rast në Zubin-Potok dhe një rast në Vushtrri, këto tri raste janë duke u hetuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Rastet në Mitrovicën e Jugut dhe Zubin-Potok dyshohet që kanë ndodhur një ditë para zgjedhjeve. Janë pesë persona të dyshuar për veprën penale ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’, ndërkaq rasti në Vushtrri dyshohet të ketë ndodhur ditën e zgjedhjeve. Është një person i dyshuar për veprën penale ‘Cenimi i fshehtësisë së votimit’”, është thënë në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
E një rast në trajtim e ka Prokuroria Themelore në Gjakovë, porse në këtë institucion nuk kanë dhënë hollësi mbi natyrën e rastit. Por, bazuar në të dhënat e komisionerëve, bëhet fjalë për fletëvotime provë, të cilat janë gjetur në një kuti votimi dhe që dyshohet se nëpërmjet tyre ka nisur skema e “trenit bullgar”, që aplikohet për kontrollimin e një numri votash.
“Prokurori i Shtetit e ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve, mbledhjen e informacioneve lidhur me këtë rast dhe nëse ka elemente të veprës penale, do të vazhdohet me procedurë të mëtutjeshme”, është thënë në përgjigjen e Prokurorisë në Gjakovë.
E, për rastet eventuale që janë duke u hetuar, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe në atë në Prizren nuk kanë ofruar informacione.