Arbëri

Prokurorisë Speciale i dorëzohet dosje 200-faqesh për krime lufte nga Bozhidar Deliqi

gjykata

Kryetarja e Shoqatës për Krime të Luftës në Kosovë, Shkëndije Hoda, pasi ka dorëzuar një dosje prej 200 faqesh në Prokurorinë Speciale, ka thënë se Prokuroria ka mjaftueshëm dëshmi për krimet e kryera nga Deliqi

Qindra dëshmi e prova ndaj nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë, Bozhidar Deliq, për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë janë dorëzuar të martën në Prokurorinë Speciale.

Vetëm pak ditë pasi është zgjedhur nënkryetar, Shoqata për Krimet e Luftës në Gjakovë ka dorëzuar materiale e dëshmi ndaj Bozhidar Deliqit për krimet në kohën kur ai ishte komandant i Brigadës 549 të Motorizuar.

Pasi ka dorëzuar një dosje 200-faqesh në Prokurorinë Speciale, kryetarja e Shoqatës për Krime të Luftës në Kosovë, Shkëndije Hoda, ka thënë se Prokuroria ka mjaftueshëm dëshmi për krimet e kryera nga Deliqi.

“Në fakt janë tri kallëzime penale, bashkangjitur me dokumentacione faktike të një lloj ditari të operimit të Brigadës 549 të Motorizuar, nën komandën e Deliqit. Edhe pse procedurat kanë ndryshuar, ne e dorëzuam dhe kemi marrë fjalë të mira. Janë identifikuar kryerësit e krimeve nëpërmjet civilëve gjatë kohës kur ata janë maltretuar dhe janë ndaluar. Ky material është dorëshkruar nga vetë oficerët e kësaj Brigade. Prokuroria ka punë, se janë mbi 200 fletë, ka punë për t’i realizuar. Është me shkronja cirilike. Janë secili në raport të fundit, kur bëjnë shkrimin ditor dhe gradën e emrin”, është shprehur ajo.

Image

Kallëzimi penal përmban dëshmitë e dëshmitarëve, të cilët e kanë identifikuar dhe njohur Bozhidar Deliqin si pjesëmarrës të krimeve të luftës në rajonin e Gjakovës, ka bërë të ditur Gjokë Sokoli nga kjo Shoqatë, njëkohësisht edhe njëri nga dëshmitarët në këtë rast.

“Kemi dëshmi se njerëzit e kanë njohur këtë person edhe kur i ka ndalur nga kolona dhe se ka marrë pjesë në masakrën e Mejës, Krushës, Korenicës... kemi të dhëna për këtë kriminel lufte mjaftueshëm. Me qindra dëshmi ka mjaftueshëm, kam besim që do të bjerë në dorë të Hagës. Ky person ka qenë i një fshati afër Gjakovës, njerëzit e kanë njohur. Turpi i botës është të zgjidhet krimineli në Parlament”, ka theksuar ai.

Ky nuk është kallëzimi i parë penal ndaj Deliqit, për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Vite më parë Fondi për të Drejtën Humanitare me seli në Serbi kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj tij dhe pjesëtarëve të tjerë të kësaj Brigade, ka deklaruar Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare. Porse, sipas tij, Prokuroria në Serbi nuk kishte ngritur aktakuzë ndaj Bozhidar Deliqit.

“Konkretisht Fondi në Serbi ka bërë kallëzim penal ndaj Deliqit për masakrën e fshatit Tërnje të Komunës së Suharekës, më 25 mars të vitit 1999. Kjo Brigadë e ka rrethuar fshatin, ka granatuar dhe pjesëtarët janë futur në fshat e kanë kryer masakra. Në Serbi, Prokuroria ka ngritur aktakuzë vetëm ndaj dy pjesëtarëve të kësaj Brigade, duke e amnistuar Deliqin. Ai është mbrojtur, duke thënë se ka dhënë urdhër të rrethohet fshati, porse nuk ka dhënë urdhër për vrasje”, ka bërë të ditur Blakaj.

KOHA ka kërkuar përgjigja nga Prokuroria Speciale, nëse ka nisur deri më tani ndonjë hetim ndaj Bozhidar Deliqit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, por nuk ka marrë përgjigje.

Deliq, i cili gjatë luftës në Kosovë kishte udhëhequr Brigadën 549 të Motorizuar, nën udhëheqjen e të cilit dyshohet se ishin kryer krime të luftës, më 2 gusht të këtij viti është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Serbisë.

Ai kishte qenë edhe dëshmitar i mbrojtjes në Hagë, në rastin ndaj Sllobodan Millosheviqit.