Arbëri

Prokurorisë në Hagë i mbeten më pak se dy muaj për ta faktuar aktakuzën

Deri më 15 prill, Prokuroria Speciale pritet të përmbyllë fazën e saj të paraqitjes së provave në Gjykatën Speciale, duke sjellë të gjithë dëshmitarët dhe provat për të mbështetur aktakuzën. Sipas prokurorëve, nga 10 dëshmitarët e mbetur, disa mund të mos thirren për dëshmi në seancë, pasi deklaratat e tyre mund të pranohen me shkrim. Pas këtij afati, procesi gjyqësor do të hyjë në fazën ku mbrojtja do të paraqesë provat e saj

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar të mërkurën se deri në gjysmë të prillit do të përfundojë me paraqitjen e fakteve para Gjykatës në Hagë, për rastin kryesor në gjykim. 

Të mërkurën, u mbajt konferencë mbi ecurinë e gjykimit ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ku prokurorët njoftuan për afatet që kanë paraparë për të përfunduar faktimin e aktakuzës.

“4 prill është data e fundit e parashikuar. Nuk do të thërrasim asnjë dëshmitar pas kësaj date. Brenda 15 prillit do të dorëzojmë mocionet e fundit me shkrim, përfshirë mocione joverbale, provat përkatëse. Kjo është data që është planifikuar”, ka bërë të ditur prokurori Matt Hawling.

E prokurori tjetër i kësaj lënde, James Pace tregoi për përgatitjet lidhur me paraqitjen e dëshmitarëve në gjykatore.

“Javën tjetër kemi dy dëshmitarë, për muajin mars kemi një dëshmitar dhe do t’ju japim përditësime për dëshmitarë të tjerë të planifikuar për në mars, sapo ta kemi këtë përditësim... Disa dëshmitarë që kanë mbetur, kanë probleme të ndërlikuara që lidhen me sigurinë, përgatitjen, bashkëpunimin me shtetet e treta. Sidoqoftë ne po bëjmë të pamundurën, brenda mundësive tona”, ka thënë prokurori Pace.

E për numrin e dëshmitarëve të mbetur u interesuan avokatët e të akuzuarve, pasi në Prokurori thanë se e kanë vetëm një të konfirmuar për muajin mars.

“Ne kemi përllogaritur se janë së paku 10 dëshmitarë të cilët mbetën për t’u dëgjuar në bllokun e marsit, por janë shumë për t’u përgatitur për të 10-tin dhe nëse nuk do të thirren duhet që ta dimë. Deri në fund të javës së ardhshme Prokuroria duhet të na njoftojë se nëse krahas një dëshmitari që tashmë e dimë që do vijë, a do ketë dëshmitarë të tjerë apo jo. Të paktën ta dimë që deri në fund të këtij blloku të përgatitemi për një, dy apo dhjetë dëshmitarë, sepse është një diferencë shumë e madhe sa u përket burimeve tona në personel”, ka kërkuar avokati i Veselit, Rodney Dixon.

Prokurori Pace ka thënë se nga 10 dëshmitarët sa është parashikuar të thirren në seancë për dëshmi, do hiqet dorë nga disa prej tyre për shkak se mjaftohen që deklaratat e dhëna më herët t’u pranohen me shkrim.

“Po, numri që përmend avokati, janë 10 dëshmitarë që mbeten, por nga këta 10, shumë apo disa prej tyre do të kalojnë sipas rregullit 153,154 ose do të hiqen fare nga lista e dëshmitarëve. Nuk mendojmë që të 10 dëshmitarët do të dëgjohen në bllokun e marsit dhe as nuk do të dëgjohen përtej kësaj date. Por sa i takon vendosjes së një afati, kjo është arbitrare”, është përgjigjur Pace. 

Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq por edhe ai i Veselit, Rodney Dixon paralajmëruan mundësinë që pas mbylljes së paraqitjes së provave prej Prokurorisë, të paraqesin mocion në bazë të rregullit 130 i cili ia mundëson mbrojtjes që t’i drejtohet gjyqtarëve me kërkesë për rrëzim të akuzave.

Pas kësaj faze të procesit, është radha e mbrojtjes për të ndërtuar çështjen e tyre duke thirrur dëshmitarë e duke paraqitur prova në drejtim të shfajësimit të klientëve të tyre.