Me dyshimin për vepra penale që ndërlidhen me terrorizimin, vepra kundër rendit kushtetues, financim i terrorizmit dhe shpëlarjes së parave, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar të mërkurën për ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit. Tek e kanë kualifikuar si rastin më kompleks dhe sfidues, as kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, dhe as Prokurori i rastit, Naim Abazi, nuk kanë treguar nëse shteti serb është i implikuar në planifikimin dhe në organizimin e sulmit të para një viti
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar të mërkurën për ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të Komunës së Zveçanit, më 24 shtator të 2023-s. Ata janë ngarkuar për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, me veprimtari kundër rendit kushtetues dhe të sigurisë së Kosovës, si dhe për financimin e terrorizmit dhe shpëlarje të parave.
Njoftimi për aktakuzën është dhënë në më pak se dy javë pa u mbushur një vit prej sulmit terrorist. Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e ka arsyetuar vonesën me pranimin e rezultateve të ekzaminimit.
“Prokuroria Speciale ka kryer punë intensive disamujore në këtë rast të madh dhe kompleks. Pas përfundimit të hetimeve, pas grumbullimit të provave dhe duke u mbështetur në to, ka ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast. Në baza të ndryshme hetimore kemi qenë të kufizuar në dhënien e informacioneve dhe na është dashur të presim gjatë, ndoshta edhe një vit. Pranimi i rezultateve të ekzaminimit jashtë vendit ishte arsyeja kryesore pse u vonua aktakuza”, ka thënë Isufaj në një konferencë shtypi të mërkurën.
Gjurmimi i fondeve për shpëlarje parash
E prokurori i rastit, Naim Abazi, ka thënë se ky rast ka qenë procesi më kompleks hetues, ku janë realizuar 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur ndërsa janë konfiskuar mbi 1000 armë dhe prova të tjera.
Sfidë gjatë fazës së hetimeve, ai e ka kualifikuar mungesën e bashkëpunimit ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve për shpëlarje parash si edhe përdorimin e teknologjive në aktivitetet kriminale nga të akuzuarit.
“Megjithatë, përkushtimi ynë për ta ndriçuar këtë rast na ka shtyrë t’i kalojmë këto sfida. Aktakuza përfshin 45 persona që kanë pasur role të ndryshme, duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi e shpëlarja e parave. Ndër të akuzuarit me pozitë kyçe, si udhëheqës i grupit është Milan Radoiçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, ka potencuar Abazi. Ai ka shtuar se Prokuroria ka bërë me dhjetëra kërkesa për bashkëpunim juridik ndërkombëtar dhe falë bashkëpunimit me Bashkimin Evropian (BE), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe vende të tjera, është arritur që të sigurohen dëshmi të rëndësishme.
“Këto kërkesa kanë qenë thelbësore për të zbuluar rrugët e financimit dhe për të siguruar provat për të ngritur këtë aktakuzë të fuqishme”, ka thënë ai.
Abazi ka treguar për qëllimin e sekuestrimit të pasurive të luajtshme e të paluajtshme, prona, vetura të blinduara.
“Ky veprim ka për qëllim të parandalojë përdorimin e këtyre aseteve për aktivitetet e mëtejshme kriminale për të goditur grupet financiare... Fondet janë transferuar përmes rrjeteve të ndërlikuara financiare duke përfshirë biznese të regjistruara në emër të personave të tretë dhe investime në pasuri të paluajtshme. Gjurmimi i këtyre parave ka kërkuar analizë të hollësishme financiare dhe përfshirjen e ekspertëve të fushë”, ka theksuar Abazi.
Pas deklaratave nga zyrtarët e organit të akuzës, nuk janë lejuar edhe pyetje nga gazetarët, me gjithë interesimin e madh. Ata nuk kanë treguar as nëse Serbia është e përfshirë në organizimin e sulmit.
“Dolëm për ta treguar atë që mundemi ta themi. Kemi parasysh prezumimin e pafajësisë. Shpresoj se e kemi bërë punën më të mirë”, ka thënë Isufaj.
Ai ka pasur edhe një koment për deklaratat e zyrtarëve të Qeverisë, të cilët e kanë kritikuar Prokurorinë se është vonuar me ngritjen e aktakuzës lidhur me rastin.
“Prokuroria Speciale nuk merret fare me perceptimin ose me paragjykimet e askujt dhe ne nuk komentojmë deklaratat e askujt, jemi institucion i pavarur me kompetencë dhe përgjegjësi për ndjekjen e personave që kryejnë vepra të ndryshme penale”, ka thënë ai.
Arrestimi dhe lirimi i Radojçiqit në Serbi
Më 24 shtator të vitit të shkuar, një grup i armatosur serb e pati sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke e lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Nga shkëmbimi i zjarrit janë vrarë tre sulmues serbë, ndërkaq pjesa tjetër e grupit ka ikur në drejtim të Serbisë.
Disa ditë më vonë, pasi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) i nxori pamjet nga Banjska, përgjegjësinë për sulmin e pati marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili tani ndodhet në Serbi. Radoiçiqi disa javë pas sulmit u pat arrestuar në Serbi. Ai tani po mbrohet në liri, ani se Prokuroria serbe e ka ngarkuar atë me dyshimet për konspiracion, armëmbajtje pa leje dhe krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme.
Edhe Organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, e ka shpallur në kërkim ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Radoiçiq, në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë.
Lajmin e pati konfirmuar në dhjetorin e vitit të shkuar, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq. Sipas tij, urdhri për kërkimin e Radoiçiqit është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNIMK – në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës. Kjo për shkak se Kosova ende nuk është anëtare e INTERPOL-it.
“Njoftimi i kuq” i alarmon policitë në të gjithë botën për të arratisurit që kërkohen ndërkombëtarisht dhe ndihmon në sjelljen e tyre para drejtësisë. Megjithëkëtë, është në kompetencën e vendeve anëtare të INTERPOL-it për të vendosur nëse do të arrestojnë një person apo jo.
Mungesa e bashkëpunimit
Bashkimi Evropian ka të regjistruar një historik refuzimesh midis Kosovës dhe Serbisë në ofrimin e informacioneve të ndërsjella mbi zbardhjen e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Qeveria e Kosovës së fundmi ka refuzuar që t’i ofrojë informacione Serbisë lidhur me rolin e Radoiçiqit dhe grupit të tij në planifikimin dhe në organizimin e sulmit të vitit të shkuar. Sipas Qeverisë së Kosovës, kërkesa përveç që bie në kundërshtim me Kushtetutën, por as shteti i Serbisë nuk mund të garantojë gjykim të drejtë dhe se “po tentohet një farsë juridiko-politike, pasi fqinji verior do të mund ta konsideronte se veprat janë kryer në territorin e saj”.
Nga ana tjetër, as Serbia nuk ka ofruar kurrfarë përgjigje mbi kërkesat që i pati shtruar Kosova në rastin, në të cilin është i përfshirë ish-nënkryetari i Listës Serbe, parti politike e serbëve në Kosovë.
Në tetor të 2023-s, autoritetet e Kosovës kanë kërkuar që t’i transmetohet një kërkesë për ndihmë të ndërsjellë juridike autoriteteve të Serbisë për të marrë prova dhe dokumente në lidhje me rastin e Radoiçiqit dhe të tjerëve.
Pas sulmit në Banjskë, Zyra e BE-së në Kosovë pati dërguar në tetor të 2023-s një kërkesë për ndihmë të ndërsjellë juridike nga Kosova tek autoritetet e Serbisë për të marrë prova dhe dokumente në lidhje me procedurën penale kundër Radoiçiqit.
Po në tetor të 2023-s, Prokuroria Speciale e Kosovës, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, i ka kërkuar Zyrës së BE-së në Kosovë që t’i transmetojë një kërkesë për ndihmë të ndërsjellë juridike Sarajevës zyrtare për të marrë prova, dokumente dhe informacione në rastin ku është i përfshirë Radoiçiqi. Derisa Serbia ka refuzuar të përgjigjet, sipas asaj që patën deklaruar zyrtarë të BE-së, Prokuroria përkatëse e Bosnjë-Hercegovinës tashmë i është përgjigjur pozitivisht kërkesës dhe se përgjigjen ua ka përcjellë autoriteteve në Kosovë.
Milan Radoiçiqi dyshohet se ka blerë armë, municion dhe mjete shpërthyese të fuqishme dhe shkatërruese nga Tuzlla, qytet në Bosnjë-Hercegovinë, e të cilat më pas kanë përfunduar në territorin e Kosovës.
Administrata Federale e Policisë në Bosnjë-Hercegovinë ka njoftuar më 3 tetor të 2023-s se do t’i hetojë pretendimet.
Në përputhje me Marrëveshjen e vitit 2013 për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike, të ndryshuar në vitin 2015, Zyra e Përfaqësuesit të BE-së në Kosovë e lehtëson transmetimin e kërkesave për ndihmë juridike të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe vendeve që nuk e njohin atë, përfshirë Serbinë.