Prokuroria Speciale ka shënjestruar tri raste të reja me 30 persona të përfshirë në vepra të ndryshme penale.
Siç ka njoftuar Prokuroria Speciale, në rastin e parë janë përfshirë shtatë persona prej të cilëve katër gjenden në paraburgim e tre në arrest shtëpiak për veprën “hyrje në sistemet kompjuterike”, “mashtrim”, “shpëlarje parash” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Në këtë rast janë konfiskuar 257 mijë euro, shtatë vetura, nëntë telefona, kompjuterë e pajisje kompjuterike, një armë e gjatë dhe një pistoletë.
Në rastin e dytë janë të përfshirë 19 persona, tre prej të cilëve gjenden në paraburgim për “import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve apo të materieve plasëse” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së. Nga ky rast janë konfiskuar 35 armë, katër vetura, 650 euro, dy telefona dhe fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Ndërsa në rastin e tretë janë të përfshirë katër persona për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “dhënie të ndihmës” për këtë vepër.
Shënjestrimi i rasteve të korrupsionit të profilit të lartë dhe krimit të organizuar nga institucionet kosovare bëhej si pjesë e përpjekjes për të prezantuar rezultate konkrete në fushën e mbizotërimit të ligjit. Rastet e shënjestruara duhej që të lidheshin me keqpërdorim të vlerave të mëdha të parave përmes zyrtarëve publikë e që pas përfundimit të rastit pasuria e fituar jashtëligjshëm duhej të konfiskohej. Shënjestrimi i rasteve nënkuptonte që ato raste të kishin mbikëqyrje më të madhe nga zyrtarët vendorë dhe ata ndërkombëtarë, ndërsa hetimi dhe gjykimi i tyre duhej të ishin parësorë.