Arbëri

Prokuroria Speciale: Për sulmin në Ibër-Lepenc u shoqëruan në polici 10 persona, një në paraburgim

Prokuroria Speciale

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se lidhur me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut janë shoqëruar në Polici 10 persona. 

“Me këtë rast në stacionin policor janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale: “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve Publike”,  nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, nga neni 129 par. 1 dhe neni 128 par 1 nën par. 1.8 të KPRK-së, “Mbajtja në pronësi kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 366 par 2 lidhur me par. 1  të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. 

Me vendim të prokurorit dy prej tyre, me inicialet D.V. dhe D.M. nga komuniteti serb, thuhet se janë ndaluar. 

“Për personin D.V. është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit dhe masa e paraburgimit është caktuar nga Gjykata për 1 muaj, kurse i dyshuari D.M. nga Prokuroria është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim. 

Prokuroria ka njoftuar se për këtë rast të diëlën është ndaluar edhe një person. 

“Ndërkaq, më 1 dhjetor 2024 me vendim te Prokurorit është ndaluar edhe i dyshuari J.V nga komuniteti serb, i cili ishte në kërkim lidhur me këtë vepër penale. Në shtëpinë e të njëjtit është kryer kontroll, ku janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm i armëve dhe pajisjeve tjera.Veprimet hetimore për këtë rast janë duke vazhduar”, thuhet në njoftim.