Qeveria ka premtuar se do ta shtojë numrin e prokurorëve specialë të cilët merren me trajtimin e krimeve të luftës. Për të sjellë rezultate, Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se i nevojiten 8 prokurorë dhe po kaq bashkëpunëtorë profesionalë. Ndërsa, monitoruesit e sektorit të drejtësisë vlerësojnë se krahas kësaj duhet të miratohet edhe një strategji nacionale
Afro 900 lëndë të krimeve të luftës të trashëguara nga EULEX-i e mbi 2 mijë lëndë për persona të zhdukur presin të zgjidhen nga vetëm katër prokurorë. Ky numër i prokurorëve specialë për raste të tilla vazhdimisht është vlerësuar i pamjaftueshëm.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka dhënë zotimin se do t’i shtojë kapacitetet për trajtimin e këtyre lëndëve.
“Prandaj, ne kemi planifikuar që çdo vit ta shtojmë numrin e prokurorëve në Prokurorinë Speciale, për t'i adresuar krimet e luftës në Departamentin për krime lufte. Do të thotë që gjyqtarët të jenë të profilizuar, madje edhe trajnime shtesë, sepse nuk është hiç e lehtë t'i adresosh krimet e luftës 22 vjet pas sepse dëshmitarët kanë vdekur, shumë dëshmi ende nuk janë marrë”, ka thënë Haxhiu.
Shtimin eventual të prokurorëve e konsiderojnë të domosdoshëm në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Por, kryeprokurori i saj, Blerim Isufaj, thotë se paraprakisht duhet të miratohen ndryshimet e propozuara ligjore për gjykimin në mungesë, për t’i larguar ato që i quan pengesa brenda Kodit të Procedurës Penale.
Për të siguruar më shumë efikasitet, Isufaj vlerëson se duhet të dyfishohet numri i prokurorëve. “Është mirë që të kemi numër më të madh të prokurorëve dhe të bashkëpunëtorëve. Kjo nuk i zgjidh problemet, pasi ka pengesa në Ligjin për gjykimin në mungesë, i cili duhet të ndryshohet. Në këtë mënyrë do të kishte më shumë efikasitet. Mirë do të ishte të jenë 8 prokurorë dhe 8 bashkëpunëtorë profesionalë vetëm për krime lufte, në ato rrethana do të kishim treguar rezultate më të mira”, ka deklaruar Isufaj.
Instituti i Kosovës për Drejtësi e quan urgjente nevojën për shtimin e prokurorëve. Mirëpo, Yll Zekaj nga ky institut thotë se nevojitet qasje proaktive dhe mbështetje më e gjerë nacionale.
“Kemi kërkuar nga Qeveria Kurti që ta adresojë një strategji shtetërore e cila pastaj do ta adresonte edhe rritjen e numrit të prokurorëve me resurse njerëzore dhe profesionale, pastaj profilizimin e prokurorëve, gjyqtarëve dhe policëve, me qëllim që të mund të adresohen krimet e luftës. Këtë së paku Qeveria Kurti dhe të gjitha qeveritë pararendëse të Qeverisë Kurti ua kanë pasur për borxh dhe obligim familjarëve të viktimave të krimeve të luftës, të cilat nuk i kanë adresuar deri më sot”, vlerëson Zekaj.
Që nga përfundimi i luftës e deri në vitin 2020, për krime lufte janë dënuar 40 qytetarë të Kosovës, prej të cilëve 35 janë shqiptarë, katër serbë dhe një malazias.