Arbëri

Prokuroria po heton dy raste të dyshuara për “cenim të fshehtësisë së votimit”

Besim Kelmendi - Laura Pula dhe kryeprokuroret takim per zgjedhjet 9 shkurt

Prokuroria Themelore e Prishtinës është duke i zhvilluar hetimet për dy raste të dyshuara të “cenimit të fshehtësisë të votimit”. 

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, ka njoftuar për nisjen e hetimeve gjatë një takimi që ka pasur me ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit të shtetit Besim Kelmendi, kryeprokurorët e të gjitha prokurorive dhe me përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, si dhe menaxherin e projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusarin. 

“Në këtë takim të pranishmit u informuan nga koordinatorja znj. Pula, se pas pranimit të informatave lidhur me dy raste të dyshuara në drejtim të veprës penale 'cenimi i fshehtësisë së votimit', nga neni 215 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke i zhvilluar hetimet”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. 

Kelmendi ka kërkuar nga kryeprokurorët angazhim të shtuar lidhur me mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve për zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 9 shkurt. 

“Po ashtu gjatë këtij takimi u diskutua për koordinimin në mes të prokurorive dhe Koordinatores Nacionale lidhur me të gjitha aktivitetet e Prokurorit të Shtetit që do të ndërmerren në rast se do të ketë cenim të procesit zgjedhor, si dhe duke përfshirë edhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet tjera ligjzbatuese në veçanti me Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim. 

Po ashtu janë ftuar të gjithë ata që kanë informata për cenim të fshehtësisë së votës t’i raportojnë te Prokurori i Shtetit apo te Policia e Kosovës.