Në seancën e fundit para shpalljes së aktgjykimit në rastin ku ish-deputeti Shkumbin Gashi dhe Sylë Balaj po akuzohen për keqpërdorim me vota është shfaqur një fotografi, sipas së cilës prokuroria pretendon se i bashkakuzuari i tij është me stilolaps duke plotësuar vota. Derisa prokuroria i kërkoi Gjykatës Themelore në Prishtinë dënimin e dy të pandehurve, mbrojtja tha se në këtë gjykim nuk u paraqitën prova që vërtetojnë fajësinë e të akuzuarve, as nuk u bë ekspertiza e fotografisë.
Në fjalën përfundimtare për rastin ku ish-deputeti i LDK-së, Shkumbin Gashi dhe Sylë Balaj akuzohen për veprat penale “Keqpërdorimi i së drejtës së votimit” dhe “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”, Prokuroria Speciale ka kërkuar dënimin e të pandehurve.
Prokurori special Ilir Morina ka shfaqur fotografinë, ku tha se shihet Balaj bashkë me katër të dënuar tek plotëson vota.
Prokurori pretendon se ish-deputeti Gashi dhe Balaj abuzuan me të dhënat e 71 bashkatdhetarëve në Austri, duke mbushur fletëvotimet pa pëlqimin e tyre në favor të rezultatit zgjedhor të Gashit.
Siç ka thënë Morina, këtë provë e ka nxjerrë Agjencia e Kosovës për Forenzikë, prej telefonit të njërit prej të katër të dënuarve në këtë rast.
“Kjo provë është marrë në mënyrë të ligjshme, është provë që është administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe është nxjerrë nga telefoni i tashmë të dënuarit Kastriot Blakaj... Ky është Sylë Balaj duke i rrumbullakuar, këtu është dora e tij duke i plotësuar këto fletëvotime dhe këtu është zmadhimi i asaj që ka në tavolinë, bashkë me lapsin dhe pyetja është se çfarë mund të kenë këto dokumente: e keni fotografinë tjetër e cila gjendet në shkresat e lëndës dhe këto janë dokumentet të cilat të pandehurit i kanë pasur në tavolinë ditën kur kanë bërë manipulimin me vota dhe ky është njëri prej formularëve, njëri nga modelet të cilin e kanë përdorur kur i kanë plotësuar formularët”, ka thënë prokurori Morina.
Ai i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë ta mbrojë demokracinë.
U shpreh se më 2019 ish-deputeti Gashi mori mandatin duke manipuluar me procesin zgjedhor.
“Tani nuk e kemi trenin bullgar, kemi një autobus me zarfe. Tash kjo është një metodë e re e cila nuk ka ndodhur vetëm në zgjedhjet e shurtit 2021, por është përsëritur edhe në zgjedhjet lokale 2021, prandaj kemi disa raste të hapura... Lidhur me deklaratën e dëshmitarit Atdhe dhe Agon, atë që e thotë mbrojtja, fatkeqësisht është e vërtetë që shihet nga deklarimi i tyre që ky edhe më 2019 mandatin e ka marrë në atë mënyrë. Ne nuk jemi lëshuar në hetimin e asaj periudhe kohore për shkak se s’kemi pasur prova të mjaftueshme”, ka thënë Morina.
Mbrojtësit e të akuzuarve thanë se në këtë gjykim nuk u paraqitën prova që vërtetojnë fajësinë e të akuzuarve, as nuk u bë ekspertiza e fotografisë.
“Nuk tolerohet një deklarim i tillë pa asnjë bazë se i mbrojturi im në vitin 2019 ka bërë diçka jashtëligjshëm. Nëse ka diçka prokurori mund të na thotë... Me asnjë element përveç komunikimeve të cilat i potencon, nuk ke arritur të sigurosh asnjë provë të vetme se i njëjti ka qenë organizator apo ka shtytur dikë të kryejë ndonjë vepër penale”, ka deklaruar Fatmir Kurmehaj, avokat i ish-deputetit Shkumbin Gashi.
“Kur kemi dyshime për faktet ato janë në favor të palës. Dhe pikërisht të kthehemi te kjo foto. Prokurori po thotë shiheni me laps në dorë Sylë Balaj duke plotësuar fletëvotimin e ndërkohë që ekspertiza e AKF-së ka dalë që nuk ka gjurmë në të...Po të ishte bërë ekspertiza e kësaj fotografie, do të vërtetohej se koha në të cilën është bërë kjo fotografi nuk është koha për të cilën flitet në aktakuzë e as vendi”, ka thënë Xhafer Tahiri, avokat i Balajt.
Nga procesi gjyqësor në këtë rast janë dënuar me burgim me kusht: Kastriot Blakaj, me 24 muaj, Tahir Shala me 20 muaj, Milot Blakaj me 20 muaj e Dardan Blakaj me 11 muaj, pasi kishin bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, e cila qe miratuar nga trupi gjykues.