Institucionet e drejtësisë kanë nisur punën për trajtimin e pengimit të procesit zgjedhor nga drejtorët që nuk kanë lejuar përdorimin e shkollave në veri si qendra votimi. Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë konfirmuar se kanë përcjellë njoftimin me të dhënat nga ky zhvillim e në Prokurorinë e Shtetit kanë konfirmuar se rasti është përcjellë në Mitrovicë.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur trajtimin e pengimit të procesit zgjedhor nga drejtorët e shkollave në veri të vendit.
Për mbajtjen e procesit për shkarkimin apo jo të kryetarëve në katër komunat të banuara kryesisht me serbë, KQZ-ja është dashur që të gjejë lokacione alternative, pasi në dispozicion nuk kishte objektet shkollore serbe.
“Njoftoheni se rastet janë të evidentuara dhe janë në proces të trajtimit”, ka thënë Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Por, nga ky institucion nuk kanë ofruar të dhëna të tjera në lidhje me trajtimin e këtij rasti.
Rasti në Mitrovicë për trajtim është përcjellë nga prokurorja Laura Pula, e cila është koordinatore nacionale për zgjedhje.
Në një përgjigje të shkurtër, Pula ka thënë se me të pranuar të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ai është proceduar në prokurorinë kompetente, e cila është Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Pa dhënë detaje për përmbajtjen, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë konfirmuar se në Prokurori të Shtetit kanë adresuar “qasjen refuzuese të drejtorëve”
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë hapat konkretë për të adresuar qasjen refuzuese të drejtorëve të shkollave për procesin e votimit të 21 prillit. Në këtë drejtim KQZ-ja ia ka përcjellë një njoftim Prokurorisë së Shtetit me të dhëna të detajuara”, ka deklaruar Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
Përcjellja e informacioneve në Prokurori pati qenë kërkesë e anëtarëve të KQZ-së pas konfirmimit se nuk është duke u lejuar mbajtja e procesit të votimit në shkollat në veri.
KOHA në prill ka raportuar se institucionet ilegale të Serbisë ua kanë ndaluar drejtorëve të shkollave serbe çfarëdo komunikimi me përfaqësues institucionalë të Kosovës, në prag të votimit për shkarkimin e kryetarëve.
Burime të KOHËS patën thënë se ky arsyetim është përdorur, kur drejtorët janë kontaktuar për nevojën që më 21 prill t’i hapin shkollat që do të shfrytëzoheshin si qendra votimi.