Arbëri

Sulmet në veri, Prokuroria paralajmëron aktakuza edhe ndaj dy të dyshuarve

Mbi 30 sulme ndaj gazetarëve u bënë në vitin 2023 gjatë protestave në veri të vendit. Me një aktgjykim është dënuar këtë javë një i akuzuar për sulm ndaj një gazetari. E për dy të pandehur Prokuroria Themelore në Mitrovicë thotë se do të ngrejë aktakuzë së shpejti.

Nemanja Vllashkoviq dhe Urosh Vukashinoviq pritet të përballen së shpejti me aktakuzë për sulm ndaj gazetarëve gjatë protestave të dhunshme të 2023-s në veri, ka thënë në një përgjigje për KOHËN, Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Gjykata Themelore në Mitrovicë gjatë javës e dënoi me 12 mijë euro gjobë Dalibor Spasiqin sulmuesin e gazetarit Burim Zariqi, dënim ky që rezultoi si rezultat i miratimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Por, përveç Spasiqit, që tash Prokuroria Themelore në Mitrovicë mund ta llogarisë së lëndë të përmbyllura, edhe dy raste të tjera pritet të përmbyllen me aktakuzë së shpejti. 

"Ndaj personit me iniciale N.V., hetimet për këtë rast kanë përfunduar dhe së shpejti pritet ngritja e aktakuzës për këtë rast. Ndërkaq jemi në përfundim të hetimeve në rastin ku i pandehur është personi me iniciale U.V.", thuhet nga Prokuroria.

Mbrojtësi i të dyshuarit Urosh Vukashinoviq, avokati Nebojsha Vllajiq, ka thënë se ajo çfarë i mbetet mbrojtjes është që të komentojë pasi ta shohë se çfarë do të sjellin Prokuroria në gjykatë.

KOHA ka tentuar ta kontaktojë edhe mbrojtësin e  të dyshuarit Nemanja Vllashkoviq, avokatin Predrag Milkoviq, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

Paraprakisht, avokati Milkoviq edhe avokati Vllajiq, kanë deklaruar në mediat serbe se prokuroria nuk ka prova që i lidh të mbrojturit e tyre me pjesëmarrjen në turmë e as me sulme ndaj gazetarëve.

Vllashkoviq dhe Vukashinoviq u arrestuan në qershor 2023, si të dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në Leposaviq në protestën e 16 qershorit, ku ekipet e mediave që raportojnë në gjuhën shqipe u sulmuan me shqelma, gurë dhe me mjete shpërthyese.