Gjykata Speciale ka publikuar vendimin për konfirmim të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Bazuar në këtë dokument, Thaçi porositi vizitorët që t’i ofrojnë informata kthyese për dëshmitarë
Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se ish-presidenti Hashim Thaçi u ka kërkuar vizitorëve të tij, që t’i ofrojnë informata për ecurinë e udhëzimit të dëshmitarëve.
E dhëna është theksuar në vendimin e gjykatës me seli në Hagë për konfirmim të aktakuzës ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, që akuzohen për pengim të administrimit të drejtësisë.
Sipas këtij vendimi, ish-presidenti Hashim Thaçi e cilësoi dëshminë e ish-shefit të shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapit, si “të rëndësishme” dhe pasi u dha vizitorëve udhëzime për mënyrën se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët, porositi mysafirët që t’i japë informatë kthyese.
“Z. Thaçi i këshilloi vizitorët që të ktheheshin për t’u takuar me të përsëri pas një muaji, dhe z. Smakaj e z. Behrami vizituan z. Thaçi sërish në institucionet e burgimit të Dhomave të Posaçme më 7 tetor 2023 (‘Vizita më 7 tetor 2023’), ku, sipas SPO-së, z. Thaçi i dha udhëzime shtesë lidhur me mënyrën se si Ë04752 duhet të dëshmojë. SPO pohon se gjatë një kontrolli më 30 tetor 2023, një dokument që trajtonte temën e dëshmisë së W04752 dhe që përmbante një narrativë të përputhshme me udhëzimet e z. Thaçi për mënyrën se si W04752 duhet të dëshmojë, u gjet në makinën e z. Smakaj”, thuhet në dokument.
Në këtë vendim të Speciales, thuhet po ashtu se ZPS-ja pretendon që ish-zëvendëskryeministri Kuçi i ka shkruar të dënuarit për krime lufte, Rrustem Mustafa, duke e përgëzuar për fjalët që i ka thënë në emisionin “Konfront” në KTV.
Sipas ZPS-së, synimi i Kuçit ishte ta nxiste komandant Remin që ai t’i mbante të njëjtat qëndrime edhe para gjykatës, meqë e dinte se do të dëshmonte.
“Z. Kuçi i ka dërguar Dëshmitarit 1 një mesazh në WhatsApp, ku ka përcjellë falënderim nga një person i paidentifikuar. Dëshmitari 1 është përgjigjur po atë ditë, në orën 22:15, me një mesazh në WhatsApp: “Faleminderit!” për mesazhin e përmendur. Materialet mbështetëse tregojnë gjithashtu se, më 12 prill 2023, para ose afër kohës kur ka ndodhur bashkëbisedimi i Dëshmitarit 1 në WhatsApp, KTV Konfront ka transmetuar një intervistë me Dëshmitarin 1. Transkriptimi në anglisht i intervistës me Dëshmitarin 1 tregon se gjatë kësaj interviste, Dëshmitari 1 (i) ka pohuar, ndër të tjera, se akuzat kundër anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë shpifje”, thuhet në dokumentin e Speciales. “Kjo gjithashtu tregon se, duke qenë në dijeni më 12 prill 2023 se dëshmia e Dëshmitarit 1 ishte e afërt, z. Kuçi ka kontaktuar me të për të konfirmuar narrativën specifike që Dëshmitari 1 kishte paraqitur në intervistën televizive”.
Kundër Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj Gjykatës. Ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu, akuzohen për “Tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe “Mosbindje ndaj gjykatës”. Ndërsa, ish-ministri Kuçi akuzohet për shpërfillje të gjykatës.