Pas dyshimeve për sulm e kanosje të një kandidateje për deputete, i janë caktuar nga 30 ditë arrest shtëpiak ministrit Fikrim Damka dhe një familjari të tij. Gjykata nuk e aprovoi kërkesën e Prokurorisë që ndaj tyre të vendoset masa e paraburgimit
Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar të martën 30 ditë arrest shtëpiak ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe familjarit të tij, Fuad Damka.
Ministri Damka, i cili është kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, është arrestuar ditën e votimit, më 9 shkurt, për sulm dhe kanosje.
Gjykata ka vendosur për arrest shtëpiak dhe jo për paraburgim, masë të cilën e ka kërkuar Prokuroria.
“Gjykata, nga shkresat e lëndës, ka vërtetuar se rrjedh dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen. Në këtë drejtim është vlerësuar se edhe me masën e arrestit shtëpiak do të arrihet të sigurohet prezenca e të pandehurve dhe se do të mund të zhvillohet normalisht dhe pa pengesa procedura penale, përkatësisht procedura hetimore ndaj të pandehurve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prizren.
Damka dyshohet se sulmoi e edhe kanosi në Prizren dy kundërshtarë politikë, përfaqësues të partisë YTPH.
Sipas Prokurorisë, dy të dyshuarit kanë sulmuar kandidaten për deputete, Arda Maloku, si dhe e ka kërcënuar me jetë Muharrem Jablen.
“I afrohet të dëmtuarës Arda Maloku dhe menjëherë i drejtohet me fjalët “... Me ty merremi ndryshe. Ju kalli të gjithëve. Ju vras”. Më pas në vendngjarje vijnë edhe rreth 30 persona-simpatizantë të dy partive politike të lartcekura dhe bëhet një tollovi e madhe dhe në një moment i pandehuri Fikrim Damka i drejtohet të dëmtuarit Muharrem Jable me fjalët “... Kam me t’vra ty. Kam me ta mytë tërë familjen”, me ç’rast i pandehuri, tek të dëmtuarit shkakton ankth, frikë dhe pasiguri”, thuhet në kërkesën e prokurorisë.
Avokati i Damkës, Skender Morina, me të dalë nga seanca në të cilën u caktua masa e sigurisë, ka thënë se kërkesa për paraburgim për të mbrojturin e tij nuk qëndron.
“Dyshimi i bazuar është tejet i zbehtë, duke pasur parasysh personalitetin e të pandehurit që e mbroj unë”, ka thënë Morina.
Ambasada e Turqisë në Prishtinë, nëpërmjet një reagimi, ngjarjen në të cilën është përfshirë Damka e ka cilësuar si “mospajtim” dhe vlerësoi se “ruajtja e unitetit dhe maturisë së turqve të Kosovës ka rëndësi të madhe”.
Prokuroria kërkon paraburgim për ministrin Damka
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar që t’i caktohet masa e paraburgimit ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, që dyshohet për veprat penale “sulm” dhe “kanosje”.
Damka, njëherit kryetar i Partisë Demokratike të Turqve të Kosovës, dyshohet se ka sulmuar dy persona, ku njëri prej tyre është Arda Maloku, nga Partia Inovative e Lëvizjes Turke.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka njoftuar se në sulm ishin të përfshirë tre persona, mirëpo vetëm dy prej tyre janë dërguar në ndalim për 48 orë, përfshirë ministrin Damka.
Sipas Prokurorisë, sulmi është bërë për shkak të mosmarrëveshjeje të mëhershme politike, ku Damka e ka kapur për krahu të dëmtuarën dhe i është drejtuar me fjalët “t'i shporru nga ky vend, kjo zonë është e jemja, kush je ti këtu me qëndru”..
Ai dyshohet se më pas e ka shtyrë atë, derisa janë mbledhur rreth 30 simpatizantë të dy partive politike.
Damka thuhet se ka kërcënuar edhe me vrasje, duke thënë "me ty merremi ndryshe, ju kalli të gjithëve, ju vras", e edhe "ty jam duke të kërkuar qe sa kohë ty unë kam me vra ty, kam met myt ty e tërë familjen".