Prokurori special Ilir Morina ka theksuar se gjatë procesit gjyqësor janë vërtetuar dy pika të dispozitivit të aktakuzës – ajo për vrasje dhe ajo për trajtim çnjerëzor. E për pikën 2, e cila ka të bëjë me zhvarrosjen e kufomave, Morina i ka tërhequr akuzat. Ai ka kërkuar dënim meritor për Alidemajn, pasi ka thënë që është dëshmuar përfshirja e tij në Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale. E avokati i tij Milosh Deleviq ka kërkuar që aktgjykimi për Alidemajn të jetë shfajësues, pasi ka pretenduar se klienti i tij ndodhej në Beograd më 28 mars të 1999-s, kur ndodhi masakra në Izbicë
Muhamet Alidemaj, shqiptari i cili është akuzuar për krime lufte si pjesëmarrës në masakrën e 130 civilëve shqiptarë në Izbicës, është sjellë të martën para Gjykatës Themelore në Prishtinë për të dëgjuar fjalët përfundimtare të avokatit të tij Milosh Deleviq dhe prokurorit special Ilir Morina në seancën e fundit të shqyrtimit gjyqësor lidhur me rastin.
Në seancën e radhës, e cila ende nuk është caktuar, pritet që të shpallet aktgjykimi.
Tek e mbajti fjalën e tij përmbyllëse, prokurori Morina ka theksuar se gjatë gjithë procesit të deritanishëm gjyqësor janë vërtetuar dy pika të dispozitivit të aktakuzës – ajo për vrasje dhe ajo për trajtim çnjerëzor. E për pikën 2, e cila ka të bëjë me zhvarrosjen e kufomave, Morina i ka tërhequr akuzat.
Ai ka kërkuar dënim meritor për Alidemajn, pasi ka thënë që është dëshmuar përfshirja e tij në ndërmarrje të përbashkët kriminale.
“I akuzuari vullnetarisht iu bashkua forcave serbe, duke e ditur planin dhe qëllimin e tyre dhe ditën e ngjarjes, së bashku me ta shkoi në Izbicë... I pandehuri ishte pjesëmarrës në ekzekutimin e planit, të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, e cila përfshinte ekzekutimin masiv të popullsisë civile në fshatin Izbicë”, ka pretenduar prokurori.
Morina ka pretenduar se nuk e ka akuzuar Alidemajn se ka shtënë me armë zjarri për ekzekutimin e 130 civilëve shqiptarë në Izbicë, por ka shtuar se i akuzuari ka qenë në dijeni të planit dhe u është bashkuar forcave paramilitare serbe për të ndihmuar në arritjen e qëllimit.
E avokati i Alidemajt, Milosh Deleviq, ka theksuar se kallëzimi i parë penal ndaj klientit të tij është ngritur për disa çështje pronësore dhe për shkaqe personale, ndërsa ka insistuar se 28 marsin e 1999-s, kur ndodhi masakra në Izbicë, ai nuk ka qenë në Kosovë, por ndodhej në Beograd të Serbisë.
Deleviq ka kërkuar që aktgjykimi për Alidemajn të jetë shfajësues.
“Aktakuza e cila ka qenë çështje e këtij procesi nuk është e bazuar në prova të besueshme, nuk është e pranueshme dhe nuk mund të jetë bazë për një aktgjykim dënues”, ka theksuar avokati.
Alidemaj është arrestuar më 31 mars të 2021-s, teksa po kthehej nga Serbia për në Kosovë, për herë të parë që pas luftës së viteve 1998-1999. Që atëherë ai është në paraburgim, ndërsa është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat që i vihen në barrë.