Në fjalën përfundimtare në rastin ku Çaslav Joliq akuzohet për krime lufte ndaj tre të dëmtuarve, prokurori special ka deklaruar se është dëshmuar fajësia e të akuzuarit. Mbrojtja kërkoi lirimin e të pandehurit, meqë, sipas saj, deklaratat e dëshmitarëve janë kontradiktore
Rasti ku Çasllav Joliq akuzohet për torturë e keqtrajtim si krim lufte më 1999 në Istog, është nga fundi në shkallë të parë.
Në fjalën përfundimtare për këtë rast, të mërkurën, prokurori special Ilir Morina kërkoi dënimin e të pandehurit, meqë, sipas tij, me deklaratat e dëshmitarëve është vërtetuar fajësia e tij.
“Në mesin e qindra mijëra civilëve që u torturuan gjatë viteve 1998-1999 ishin i dëmtuari Zef Masia, Nexhmedin Curraj, Naim Ferati...”, ka thënë prokurori Morina. “Familja Joliq jeton në Istog. Askush nuk i nguc, askush nuk i akuzon. Ka ikur nga Kosova dhe ka bërë maksimumin që t’i shmanget përgjegjësisë penale”.
Por mbrojtësi i Joliqit, avokati Miodrag Bërklaç, u shpreh se deklaratat e dëshmitarëve shkojnë më shumë në favor të mbrojtjes, meqë, siç tha, janë të papërputhshme.
Ai theksoi se nuk e konteston se tre dëshmitarët Zef Malsia, Nexhmedin Curraj dhe Naim Ferati janë të dëmtuar, por se ka kontradikta të mëdha në atë që thonë.
“Ka pretenduar se Joliqin e njeh që nga shkolla fillore, qëkur ai ka qenë në klasën e parë, ndërsa në të 8-n Joliqi”, ka thënë avokati Bërklaq. “I kanë dallim 14 vjet... Kur ka qenë në klasë të parë, Joliqi ishte në fakultet”.
Po ashtu, avokati Bërklaç deklaroi se Joliqi ishte polic në periudhën ’95-’96, por jo gjatë luftës, periudhë për të cilën akuzohet për krime lufte.
Këtë e kundërshtoi prokurori Morina. Ai deklaroi se parashtrimet e mbrojtjes, përfshirë një letër, tregojnë se ai ishte polic i rregullt në Kosovë, e edhe në Serbi, ku u strehua prej ndjekjes penale.
Ai iu referua edhe një definicioni të Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi për “pjesëtarët e forcave ushtarake dhe policore serbe”, ku siç tha, aty bëjnë pjesë prej civilëve e deri te politikanët që kanë kryer krime lufte.
Të dëmtuarit thanë se e përkrahin fjalën e prokurorisë, e i akuzuari Joliq, u shpreh se është i pafajshëm.
Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 10 qershor.