Arbëri

Prokurori: Dëshmitari u rrëmbye nga pjesëtarë të UÇK-së

Dëshmitari i 119-të me radhë, në rastin ku po gjykohen ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, sipas Prokurorisë është ndalur dhe keqtrajtuar nga persona të armatosur e me uniforma të UÇK-së. Identiteti i tij ishte i mbrojtur, e shumica e dëshmisë së dhënë në gjuhën serbe, u bë në seancë të mbyllur

Një dëshmitar i mbrojtur, i cili sipas Prokurorisë është keqtrajtuar nga pjesëtarë të UÇK-së, ka dëshmuar të enjten në Gjykatën Speciale në Hagë.

Dëshmitari i 119-të me radhë i Prokurorisë, në rastin ku po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, sipas prokurorit Cezary Michalczuk, ishte liruar nga UÇK-ja vetëm pas ndërhyrjes së KFOR-it.

“Në qershor të vitit 1999, dëshmitari (02714) u rrëmbye nga persona të armatosur që kishin veshur uniforma të UÇK-së, me shenja dalluese të UÇK-së dhe u dërguan në vende të ndryshme ku u morën në pyetje dhe u keqtrajtuan, ndërkohë që ka qenë i ndaluar, ai ka ndërvepruar me komandantin e UÇK-së, që në fund e liroi dëshmitarin pas negociatave me KFOR-in”, ka thënë prokurori Michalczuk.

Nga prokurori Michalczuk, dëshmitari u pyet nëse ishte informuar për ndonjë akuzë penale me rastin e ndalimit dhe nëse i qe dhënë mundësia që ta kundërshtojë ndalimin para një gjyqtari ose personi tjetër zyrtar.

“Ata më thanë se isha ndaluar se isha oficer trafiku rrugor, kjo ishte arsyeja. Për këtë arsye më thanë se më kishin ndaluar, asgjë tjetër nuk më thanë”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka dëshmuar në gjuhën serbe.

Me kaq përfunduan pyetjet për këtë dëshmitar nga ana e ZPS-së dhe me kundërpyetje vazhdoi mbrojtja e Thaçit, e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq në seancë private për publikun.