Vërejtje publike me shkrim i është shqiptuar prokurores Stojanka Kasaloviq, për shpërfilljen e rastit të Lirije Qerimajt, e cila u vra pak ditë pasi e raportoi në Polici dhunën nga bashkëshorti i saj.
Kasaloviq, prokurore në Mitrovicë, e ka pranuar se nuk e ka trajtuar si duhet rastin e 48-vjeçares nga Llausha e Skenderajt, që bashkëshortin e denoncoi për dhunën fizike e psikike të ushtruar ndër vite.
Lirije Qerimaj, në drejtim të së cilës u shkrepën gjashtë fishekë, u vra mesditën e 5 janarit.
Në vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës jepen detaje të rastit.
“Paneli hetimor gjeti se prokurorja Stojanka Kasaloviq ka qenë kujdestare në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, më datë 1.1.2022, kur është thirrur nga zyrtari policor i stacionit policor, i cili e kishte raportuar një zënkë në një familje, ku djali i cili ishte i rritur e kishte raportuar babanë, sepse ai e kishte larguar nënën nga shtëpia për shkaqe xhelozie. Meqenëse nuk kishte pasur dhunë fizike, s’kishte pasur recidivizëm dhe djali i viktimës kishte garantuar për sigurinë e nënës, prokurorja Kasaloviq nuk kishte marrë aktvendim për ndalim”, thuhet në vendimin e KPK-së.
Sipas vendiit, ajo kishte udhëzuar që rasti të hapej për dhunë në familje, por në procedurë të rregullt edhe të informohet mbrojtësi i viktimave, mirëpo më nuk është interesuar për rrjedhën e rastit.
Por, në kërkesën e paraburgimit për bashkëshortin e viktimës, Skënder Qerimaj, ishte paraqitur edhe një deklaratë e Lirijes, ku e ndjera kishte deklaruar për dhunën psikike dhe fizike nga burri, duke kërkuar edhe urdhër mbrojtjeje, gjë që iu ofrua në ditën e vrasjes.
Në vendim shkruhet se masa disiplinore “vërejtje publike me shkrim” i është vendosur pasi prokurorja ka pranuar se ka neglizhuar rastin, duke shprehur keqardhje për këtë.
“Prokurorja e ka pranuar fajësinë gjatë seancës dëgjimore, të njëjtën e ka paraqitur edhe përmes deklaratës faktike. Prokurorja Kasaloviq ndien keqardhje, nuk është e interesuar ta fajësojë askënd tjetër dhe pranon se ka pasur neglizhencë nga ana e saj, sepse do të duhej të kishte komunikuar më shumë me policinë, në fakt për të detyruar policinë ta informonin sërish për rastin dhe të kontaktonin me mbrojtësin e viktimave në mënyrë që të vazhdonin të punonin së bashku”, thuhet në vendimin e KPK-së. “Në mungesë të këtyre veprimeve prokurorja Kasaloviq është përfshirë në sjellje, të cilat e kanë dëmtuar reputacionin e prokurorit të shtetit dhe kanë dëmtuar besimin e publikut në profesionalizmin, paanshmërinë ose besueshmërinë në Prokurorinë e Shtetit”.
48-vjeçarja nga Llausha kishte qenë cak edhe i një tentim vrasjeje nga bashkëshorti disa muaj para se të vritej. Për një gjë të tillë kishte treguar njëri nga fëmijët e saj duke deklaruar se babai i tyre tentoi ta vriste nënën gjatë natës me çarçaf dhe që tashmë e ndjera arriti të ikte.