Hartimit të projektligjit për kriptovalutat i ka paraprirë një hulumtim rreth mënyrës se si është e rregulluar kjo industri në shtetet e tjera.
Kuvendi ka analizuar mënyrën e funksionimit të monedhave virtuale në vendet si Franca, Gjermania, Zvicëra, Suedia, Shqipëria dhe të tjera.
Me përfundimin e konsultimeve të nevojshme do të zgjedhet një vend, i cili do të shërbejë si model për projektligjin në Kosovë.
“Ky ka qenë fillimisht edhe qëllimi i vet hulumtimit se ku janë praktikat më të mira. Mirëpo ne pamë edhe shumë opinione dhe informata që na u dhanë edhe nga palët të cilët janë të involvuar. Shumica prej tyre përmendin Estoninë, e cila ka të adaptuar mirë edhe çështjen e teknologjisë së 'blockchainit' mbi të cilat operojnë kriptoasetet”, tha Jeta Statovci, nënkryetare e Komisionit për Ekonomi.
Njohësi i funksionimit të kriptovalutave, Ermal Sadiku, mirëpret nismën e hartimit të legjislacionit për këtë industri.
Por ai thotë se nuk duhet të merret si model ndonjë shtet tjetër, pasi, sipas tij, secili vend ka specifika të ndryshme nga njëri-tjetri.
“Edhe shtetet më të fuqishme në botë nuk po dinë si t'i qasen kësaj legjislature. Është mirë me kriju një legjislaturë të veten duke i parë faktorët interesant që janë këto dhe çka mund të përdorim ne më ndryshe se shtetet e tjera, që me tërheq investitorë që bëjnë 'mining', që me tërheqë investitorë që bëjnë start upa të ndryshëm në kripto”, tha Ermal Sadiku, njohës i funksionimit të kriptovalutave.
Sipas Sadikut, gjatë punës në projektligj deputetët duhet të bëjnë kujdes në tri aspekte të ndjeshme.
“Njëra është teknologjia sepse ajo punon mbi teknologji, njëra është legjislatura, do të thotë duhet me pas njerëz në ekip që e kuptojnë mirë legjislaturën e vendit por edhe ndikimin e kriptovalutave në legjilsaturën e ardhshme dhe njerëz të kontabilitetit dhe financave sepse kemi të bëjmë me gjëra financiare”, tha Sadiku.
Kjo iniciativë ligjore është nisur pas raportimeve se komunat e veriut janë mbushur me pajisje për prodhimin e kriptovalutave dhe se është shtuar konsumi i energjisë për 14 për qind vitin e kaluar.