Arbëri

Projektligji për Shërbimin e Jashtëm mundëson më shumë emërime me çelës politik

Deri në 10 diplomatë me të drejta ekuivalente me ato të ambasadorit do të mund t’i caktojë ministri i Punëve të Jashtme, nëse kalon në Kuvend një projektligj që është finalizuar tashmë. Ata do të dërgohen në misione pa marrë aprovimin në Kuvend dhe Presidencë. Krahas kësaj, Projektligji ia lë mundësinë pushtetit që me çelës politik të mund të zgjidhë gjysmën e të gjithë ambasadorëve.

Ministria e Jashtme ka finalizuar një projektligj të ri nëpërmjet të cilit ia lë në kompetencë ministrit t’i caktojë deri në 10 diplomatë me të drejta ekuivalente me ambasadorin, pa kaluar emrat e tyre në Kuvend e në Presidencë.

Kategoria e parë e të përzgjedhurve nga ministri do ta kenë titullin ambasadorë të posaçëm.

“Rangu diplomatik ambasador i posaçëm, me vendim të ministrit, mund t’u jepet jo më shumë se pesë (5) diplomatëve të karrierës për ta përfaqësuar Ministrinë në çështje dhe tematika të natyrës së përgjithshme, në përputhje me procedurën dhe kriteret e përcaktuara me Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm”, thuhet në nenin 40 në këtë projektligj.

Aq sa ambasadorë të posaçëm, projektligji ia lë në dorë ministrit të caktojë edhe të dërguar të posaçëm.

“Rangu diplomatik i dërguar i posaçëm, me vendim të ministrit, mund t’u jepet jo më shumë se pesë (5) personave për ta përfaqësuar Ministrinë në çështje dhe situata specifike me kohëzgjatje të kufizuar, në përputhje me procedurën dhe kriteret e përcaktuara me Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm”, thuhet në po atë nen.

Personat e caktuar për të shërbyer si ambasadorë të posaçëm apo të dërguar të posaçëm, gjatë kohës së shërbimit, do t’i gëzojnë të drejtat dhe detyrimet ekuivalente me diplomatin e karrierës, me gradën diplomatike të ambasadorit.

Bazuar në projektligj, caktimi i tyre nuk llogaritet në numrin e ambasadorëve të zgjedhur me çelës politik.

E, bazuar në nenin 25 të projektligjit, me çelës politik do të mund të zgjidhen gjysma e të gjithë ambasadorëve. Kjo krijon rrethanën që kjo kategori ambasadorësh, bashkë me ata të posaçëm, të jenë më shumë në numër sesa ambasadorët nga radhët e diplomatëve të karrierës.

Kërkesë e vazhdueshme e shoqërisë civile ka qenë që të rritet përqindja e diplomatëve të karrierës, por Ministria nuk e ka marrë në konsideratë thirrjen.

“Nuk po them me shku në ideale që po t’i shohin demokracitë e konsoliduara të emëruarit politikë janë vetëm 20 për qind, raporti është edhe 100 për qind diplomatë karriere. Në fazën e zhvillimit që jemi do të ishte jo e preferueshme por e obligueshme që të kalojmë së paku 70 për qind diplomatë të karrierës. Qëllimi është që të zvogëlohet sa më shumë që është e mundshme diskrecioni politik në emërimin e një personeli specifik siç është personeli diplomatik”, ka deklaruar Naser Shamolli i GLPS-së.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka ofruar sqarime se pse kanë vendosur të mos e ndryshojnë përqindjen mes të emëruarve politikë dhe diplomatëve të karrierës.