Projekti i Komunës së Prishtinës për monitorimin e zhurmës që shkaktojnë lokalet e gastronomisë është bërë jofunksional ende pa e mbushur një vit.
Sistemi i monitorimit me të dhëna që i publikon ato në uebsajtin “ndotja-akustike.info” ishte promovuar me shumë pompozitet nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe ishte vlerësuar si zgjidhje për zhurmën.
“Herën e parë është vërejtja, nuk ka gjobë nëse kalohet herën e parë. Pra, është vetëm vërejtje. Vërejtja i shkon në e-mail dhe nëpërmjet këtij aplikacioni secilit operator që është i regjistruar. Nëse e kalon prapë, atëherë kemi gjobën e parë 500 euro, nëse e shkel edhe herën e dytë, atëherë gjoba është 1000 euro. Nëse e kalon herën e tretë, atëherë mbyllet për 8 ditë operatori”, pati thënë Rama më 21 gusht 2023.
Por qytetarët vazhdojnë të ankohen për ndotjen e madhe akustike.
“Kam biznesin tim, po shpesh më ndodh në mbrëmje të punoj. Është zhurmë shumë e madhe dhe është e papërballueshme, fare nuk punohet. Nuk e di për banorët e tjerë që janë rezidentë këtu, por për mua është shumë zhurmshëm”, ka thënë Albana Kelmendi, avokate që ka një zyrë në “Rrugën B”.
Ka edhe shembuj që e vërtetojnë mosfunksionimin e sistemit.
Lokali “Bon Vivant” në rrugën “Rexhep Luci” është mbyllur muaj më parë. E megjithatë, sipas aplikacionit të Komunës, del se ky lokal shkakton ende zhurmë, bile më të madhe sesa kafenetë e hapura me klientë.
Në të vërtetë ky lokal si i mbyllur nuk shkakton zhurmë e as në afërsi nuk ka lokale të gastronomisë.
Banorë të lagjes “Pejton” kanë dërguar në adresë të KOHËS ankesat e shumta që i kanë adresuar në komunë për zhurmën edhe pas mesnatës. I janë ankuar drejtorit të Inspektoratit Komunal, Florian Dushi, por edhe kanë lajmëruar rastin në Polici. Zgjidhje nuk u është bërë.
KOHA ka kërkuar intervistë me drejtorin Dushi e po ashtu ka dërguar edhe pyetje lidhur me ankesat e qytetarëve dhe mosfunksionimin e sistemit të matjes së zhurmës, por nuk ka marrë përgjigje.
Pyetje i janë dërguar edhe Policisë nëse është bazuar në këtë sistem, gjatë trajtimit të ankesave për zhurmën e po ashtu edhe kompanisë “Fara”, udhëheqëse të konsorciumit që e ka fituar tenderin për këtë sistem. Përgjigje nuk ka marrë as nga to.