Arbëri

Projektet prej rreth 300 milionë eurosh, peng i dallimeve politike në Kuvend

Të shumta projekte, vlera e të cilave sillet rreth 300 milionë euro, kanë mbetur peng i mungesës së konsensusit politik brenda Kuvendit për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare. Derisa partia në pushtet dhe ato në opozitë akuzojnë njëra-tjetrën për ngërçin e krijuar politik, monitorues të punës së Kuvendit e kanë vlerësuar këtë si sjellje të papërgjegjshme të deputetëve karshi qytetarëve

Prej muajsh, Kuvendi ka dështuar që t’i ratifikojë disa marrëveshje ndërkombëtare, vlera e të cilave aktualisht është mbi 300 milionë euro. 

Forcimi dhe investimi në kapacitetet e “KRU Prishtina” dhe të kompanive të tjera rajonale të ujit do të ishte i mundur falë një projekti të lidhur si marrëveshje ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Konfederatës Zvicerane. Por kjo marrëveshje ndërkombëtare ka disa muaj që nuk mund të ratifikohet në Kuvend, për shkak të mungesës së konsensusit politik pushtet-opozitë. E me masat e këtij projekti, të njohur si “Qëndrueshmëria klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”, do të ndikohej në rritjen e performancës operacionale që do të kontribuonte në ofrimin e shërbimeve të qëndrueshme e me cilësi të lartë si dhe në përmirësimin e qëndrueshmërisë financiare të kompanive rajonale të ujit.

Pos kësaj marrëveshje, ratifikimin në Kuvend me votat e dy të tretave të deputetëve e presin edhe 11 të tjera, tri prej të cilave nga qershori dhe tetori i vitit të shkuar. 

Në Partinë Demokratike (PDK) janë shprehur zyrtarisht se nuk do të marrin pjesë në votimin e këtyre ujdive. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), bashkë me Lidhjen Demokratike (LDK) dhe me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka vota të mjaftueshme për t’i miratuar marrëveshjet porse ka munguar dakordimi për t’i mbledhur në sallën e Kuvendit 80 deputetët e nevojshëm.

Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të LVV-së, e ka lënë përgjegjëse opozitën për mungesën e vullnetit në kapërcimin e ngërçit politik, tek i akuzoi deputetët opozitarë për largim nga salla e Kuvendit kur marrëveshjet ndërkombëtare nxirren për votim.

“Në momentin kur hymë në seancë, kur filloi procesi i votimit, ne ishim në numër të kompletuar. Do të thotë, pastaj ishin deputetët e partisë opozitare, në këtë rast të Lidhjes Demokratike e më vonë edhe të Aleancës, të cilët nuk ishin në sallë”, ka thënë ajo. “Marrëveshjet ndërkombëtare edhe jetëgjatësinë edhe zbatueshmërinë e kanë më të gjatë sesa një mandat legjislativ ose një mandat qeverisës. Prandaj, tashmë duke e ditur se jemi në vitin e fundit edhe të qeverisjes do të ishte e pakuptimtë të shtyhej për argumentim politik”.

E deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka akuzuar partinë që e ka shumicën në Kuvend se nuk po arrin që për votim t’i mbledhë as deputetët e LVV-së.

“As mazhoranca nuk po i ka deputetët e saj aktualë sa i ka. Nuk i ka të gjithë prezentë në mënyrë që me deputetë të Aleancës dhe me disa deputetë të LDK-së të arrihet kuorumi prej 80 deputetëve në mënyrë që të kalojnë. Pozicioni i Aleancës është që t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare”, ka deklaruar ajo.

Arbër Thaçi, monitorues i punës së Kuvendit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se për trajtimin dhe për votimin e këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare përgjegjësinë e bartin që të dy taboret politike. Por ai ka theksuar se partia në pushtet do të duhej të angazhohej më shumë për arritjen e dakordimit.

“Në këtë situatë, të dy blloqet, edhe pozita e edhe opozita, bartin përgjegjësitë e tyre dhe do të duhej të bënin më tepër në kuptim të një dialogu apo bashkëpunimi, meqenëse bëhet fjalë për marrëveshje prej një pjese të të cilave qytetarët do të fitonin më shumë. Mirëpo një pjesë më e madhe e përgjegjësisë bie mbi partinë në pushtet”, ka theksuar Thaçi.

Në mesin e marrëveshjeve që pret për ratifikim është edhe programi i energjisë solare, i cili ka për qëllim ndërtimin e një impianti fotovoltaik diellor me kapacitet të instaluar deri në 100 megawat në vit. Qeveria ka miratuar edhe dy marrëveshje tjera ndërkombëtare në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh, të cilat pritet që të nxirren në Kuvend për miratim.