Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, është përplasur me deputetët e opozitës për disa projekte infrastrukturore gjatë seancës së sotme të Kuvendit.
Në fjalën e tij fillimisht, Aliu përmendi disa nga projektet infrastrukturore “që po shkojnë sipas planifikimeve”:
“Në masën dërrmuese projektet infrastrukturore janë duke shkuar sipas planifikimeve. Sa i përket rrugës së Podujevës ka qenë rrugë me probleme të shumta nga e kaluara, kemi arritur t’i mbyllim disa prej tyre dhe tani punimet po shkojmë në trendin normal. Së shpejti do të bëhet asfaltimi i katër shiritave rrugorë. Rruga e Mitrovicës është ndër rrugët më problematike që kemi pasur. Rruga është afër përfundimit. Po vazhdojnë punët normalisht me trendin e vetë. Edhe ura e Badocit ka qenë me probleme, projekti është bërë, është bërë me gabime, është përmirësuar, tash po ec me trend të shpejtë. Por kur flasim për rrugën Dollc - Gjakovë dhe për autostradën e Gjilanit, s’ka rrugë që i kam vizituar më shpesh por ka probleme të përditshme. Ka progres me të ngadaltë por ka progres”, ka thënë ai.
Por me këtë s’u pajtua deputeti i PDK-së, Hisen Berisha. Ai ka thënë se në mandatin e Qeverisë Kurti nuk janë arritur as të mirëmbahen rrugët.
“Rrugët e vjetra që kanë qenë janë bërë të rrezikshme, të pakalueshme sepse s’keni arritur as me i mirëmbajt. Rruga Dollc - Gjakovë në gjithë segmentin e saj edhe me shembjen, tregon se s’ka strategji të punës veç po bëhet sa për të thënë”, ka deklaruar Berisha.
Kritika për rrugën tek ura e Badocit pati deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi.
“Rruga tek ura e Badocit sipas jush është dashur qe dy vjet të rregullohet. Edhe rruga e devijuar është e dëmtuar. Se di sa duhet punë për një rrugë 40 metra me rregullu për dy vjet”, ka thënë ajo.
Të dy morën përgjigje nga ministri Aliu.
“Për rrugën Dollc - Gjakovë besoj se një pjesë e vërejtjeve qëndron. Është projekt i trashëguar. Pjesa e Badocit është duke shkuar në trendin normal tani. Progresi është t’u shku brenda trendeve normale”, ka potencuar Aliu.
Deputetët në shqyrtim të dytë Ligji për mbrojtjen e konsumatorit, Ligji për kripto-asetet dhe ai për regjistrin e pronarëve përfitues.
Kuvendi shkoi në pauzë deri në orën 14:00.
