Arbëri

Profesorët i “frikësohen” pozitës së anëtarit të Këshillit të Etikës

Disa profesorë të Universitetit të Prishtinës kanë refuzuar të bëhen anëtarë të Këshillit të Etikës, trupë kjo që trajton denoncimet për sjellje joakademike të profesorëve dhe asistentëve. Sipas senatorëve, refuzimi po bëhet pas denoncimeve të studentëve për ngacmim seksual nga profesorët. Për këtë u fajësuan mediet dhe jo veprimet e profesorëve

Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës (UP) ka një muaj që është jofunksional, meqë ka skaduar mandati i anëtarëve të kësaj trupe. E, pozita e anëtarit të Këshillit është bërë e padëshirueshme për profesorët e universitetit më të madh publik në Kosovë. 

Në mbledhjen e Senatit të mërkurën, rektori Arben Hajrullahu ka thënë se ua ka ofruar disa profesorëve pozitën në instancën që trajton shkeljet e stafit akademik, studentëve dhe personelit administrativ, por ata kanë refuzuar.

“Kam kontaktuar disa kolege dhe disa kolegë, kam provuar t’ua shpjegoj rëndësinë e të qenit njerëz me etikë e profesionistë dhe të angazhuar. Prej të gjitha emailave që i kam kontaktuar këta personalisht, duke i ftuar që të pranojnë që t’i propozoj këtu dhe bashkë me ju që ta kalojmë këtë komision, vetëm një profesoreshë dhe një profesor kanë pranuar”, ka thënë ai.

Hajrullahu ka kërkuar nga menaxhmentet e fakulteteve që t’u dërgojnë ftesë zyrtare të gjithë profesorëve për pozitën e anëtarit të Këshillit. 

Sipas senatorëve, hezitimi për t’u bërë pjesë e Këshillit të Etikës vjen pas rastit kur 27 studente raportuan për ngacmim seksual profesorin tashmë të suspenduar Xhevat Krasniqin. 

“Nëse hezitojnë njerëzit me ardhë, hezitojnë pikërisht për shkak të ngjarjeve që janë pjellë e këtij Rektorati dhe Universitetit tonë. Ne për pesë muaj kemi qenë në qendër të vëmendjes dhe nuk besoj që edhe ata kriminelët nëpër gjykata nuk kanë qenë të përmendur siç kanë qenë profesorët tanë të cilët janë shumë të respektuar dhe kanë një kredibilitet bukur të madh në Universitet”, ka thënë Adem Rusinovci, i cili është senator nga radhët e Fakultetit të Arteve.

Atëkohë, shumë medie përcollën seancat dëgjimore e edhe protestat për rastin e Krasniqit.
Për këtë, rektori Hajrullahu fajësoi mediet dhe jo veprimet e Krasniqit e as zvarritjen e rastit nga anëtarët e Këshillit.

“Nuk dëshiroj as unë e as ju të shohim skena që kemi përjetuar dikur në pranverë apo verë, këtu të bllokohen dyert. Krejt në rregull për këta kolegët e medieve, të cilët janë më se të mirëseardhur pasi nuk kemi asgjë për të fshehur, mirëpo nuk ka nevojë të na bëjnë për teatro, edhe pse kemi në renovim teatrin”, ka thënë Hajrullahu.

Mandati i anëtarëve të Këshillit të Etikës që është përbërë nga katër profesorë, u ka skaduar në fillim të tetorit. 

Rektori Hajrullahu e quajti “klub të burrave” përbërjen e kaluar dhe tha se këtë herë synon të vendosë balancë gjinore.

Puna e Këshillit të Etikës është kritikuar ndër vite, në veçanti për trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me ngacmime seksuale të profesorëve ndaj studentëve, ku anëtarët kanë shkelur afatet ligjore për trajtimin e denoncimeve.

Në mbledhjen e së mërkurës u emëruan anëtarët e gjashtë komisioneve dhe të dy këshillave. Gjatë prezantimit të emrave të anëtarëve, pati ankesa nga dekanët e fakulteteve se nuk janë konsultuar nga Rektorati për profesorët e propozuar.

“Për profesorin në fjalë që është në listë dhe që është pjesë e fakultetit tim unë nuk jam konsultuar dhe besoj që edhe ne do të kishim pasur mundësi të kontribuonim me propozime meqë i njohim më mirë”, ka thënë Isak Shabani, dekan në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

E, rektori Hajrullahu i është kundërpërgjigjur, duke thënë se ka vendosur të mos i përfshijë dekanët në procesin e propozimeve për, siç ka thënë ai, t’i ikur interesave të grupeve “pozitë dhe opozitë” të krijuara në njësitë akademike.

“Përderisa në këtë Universitetin tonë kërkohen takime urgjente me mua duke pretenduar se janë të kërcënuar me jetë nga kolegët, e siç duket burimin e kanë të hipotekat e votimeve, se kush kujt ia ka votuar votën, atëherë atë ju lutem fortë, iu bëjë apel të mos na sjellin këtu se nuk na bën nder askujt”, ka shtuar ai.