Arbëri

Procesi drejt anëtarësimit në KiE hap shteg për kompromise të reja

Votimi i Raportit të raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, po konsiderohet momentum i favorshëm në përshpejtimin e anëtarësimit në këtë organizatë.

Shqyrtimi i raportit të Dora Bakoyannis, raportuese për Kosovën në Këshillin e Evropës, po konsiderohet momentum i rëndësishëm që ta përshpejtojë procesin e anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm.

Në pritje të vendimmarrjes së Komisionit për Çështje Politike, i cili pritet të diskutojë të mërkurën për Kosovën, njohës të integrimeve thonë se anëtarësimi i plotë mund të zvarritet edhe për një kohë. 

Ligjëruesi i shkencave politike në Universitetin e Dublinit në Irlandë, Gëzim Visoka, ka përmendur edhe qasjen kushtëzuese në procese të tilla. 

“Pas nxjerrjes së raportit pozitiv nga raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis dhe përgjigjes pozitive të liderëve institucionalë të Kosovës, duket se kemi një momentum shumë të favorshëm për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Por, duke njohur logjikën kushtëzuese të organizatave evropiane dhe përpjekjeve të tyre për të shtuar kushte shtesë për Kosovën, ka gjasa që procesi të zvarritet edhe për një kohë”, ka thënë ai.   

Visoka, i cili ligjëron për paqen dhe konfliktin, thotë se bashkë me përkrahjen që mund t’i jepet Kosovës do të vijnë edhe kompromise të reja. 

“Çfarë duhet kuptuar është fakti se rikthimi i përkrahjes evropiane dhe të SHBA-së për anëtarësimin e Kosovës ka më shumë të bëjë më hapjen e një shtegu të ri për të stimuluar kompromise nga ana e Kosovës sesa dëshirë e tyre për ta bërë Kosovën vend më sovran apo të barabartë në rrafshin evropian. Kështu që Këshilli i Evropës me shumë gjasa do të bëhet një regjim i ri plotësues i ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë, ku do të përdoret si instrument diplomatik nga BE-ja, SHBA-ja dhe palët e tjera për ta nxitur apo detyruar Qeverinë e Kosovës të marrë vendime dhe reforma strukturore kryesisht të karakterit që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave në vend”, është shprehur Visoka.  

Zotimet e liderëve për zbatim të marrëveshjeve

Para votimit në Këshill, tre udhëheqësit institucionalë i dërguan një letër raportueses Dora Bakojanis, ku shprehën zotimin për zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit, të cilat e përfshijnë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. 

Duke komentuar letrën, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se ajo mund të jetë standard para aplikimit, por që s’mund të cilësohet formalitet. 

“Pyetja është, pse kanë pasur nevojë që deri me tash ta zvarritim zbatimin e kësaj marrëveshjeje e të thonë herë e zbatojmë, herë nuk e zbatojmë. Aty thuhet ‘Të përmbahemi nga përdorimi i policisë speciale në veri të Kosovës për detyra të zakonshme policore e të sigurohemi se ato dislokohen vetëm në rast nevoje’, që i bie se deri me tash nuk e kanë zbatuar këtë standard që aq shpesh është kërkuar nga aleatët tanë.  Zotohen për shpronësimet në veri; Për mbrojtjen e pronave të Kishës Ortodokse Serbe; Për integrimin e pakicave; për gjuhët e tyre, shkollimin tekstet ... e kështu me radhë”, ka shkruar Haradinaj të martën në Facebook. 

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është ngjarje e madhe dhe hap i rëndësishëm drejt integrimit në BE dhe, sipas tij, letra e zotimeve drejtuar Bakojanis përfshihet në këtë kuadër, por ka thënë se është e habitshme se si liderët institucionalë të Kosovës deri me tash kanë shpërfillur kërkesat e njëjta nga nivele shumë të larta të SHBA-së dhe BE-së. 

“Për këtë sot jemi edhe nën sanksione, edhe në marrëdhënie shumë të acaruara me ShBA-në e BE-në, edhe të detyruar t’i përsërisim zgjedhjet në veri, edhe të merremi me dinarin, edhe në pozitën më të keqe të mundshme në procesin e dialogut me Serbinë”, ka shtuar Haradinaj.  

Shpresat e Kosovës për shpejtimin e procesit të anëtarësimit u shtuan pasi Qeveria e urdhëroi Agjencinë Kadastrale që t’ia bartë Manastirit të Deçanit pronën 24-hektarëshe, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016. Ky përbënte njërin prej kushteve themelore të Këshillit të Evropës, që përmendet edhe në një raport të juristëve të KiE-së. 

Deputet të Kuvendit që janë pjesë e delegacionit të Asamblesë Parlamentar, javën e kaluar paralajmëruan se më 27 mars do të takohet Komisioni për Politikë dhe Demokraci, i cili pritet ta shqyrtojë raportin e Dora Bakoyannis. Për kalimin e tij duhet të votojnë një e dyta e anëtarëve, që i bie 27 deputetë. 

Nëse kalohet kjo fazë, atëherë çështja mund t’i kalojë për votim Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila i zhvillon punimet nga 15 deri më 19 prill.

Sipas një agjende preliminare të publikuar në faqen zyrtare të Asamblesë Parlamentare, në fokus të diskutimeve do të jenë vdekja e opozitarit rus, Aleksej Navalny, dhe lufta në Ukrainë. Lidhur me këtë, Asambleja do të diskutojë propozimin që të përdoren asetet e ngrira shtetërore ruse për të ndihmuar rindërtimin e Ukrainës. Asambleja po ashtu pritet të miratojë një opinion për Projekt-Konventën e re Kornizë për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Sundimin e Ligjit.
Pikat e tjera kryesore të sesionit përfshijnë një debat mbi lirinë e shprehjes dhe të drejtat e komunitetit LGBTI. 

Do të ketë gjithashtu debat për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna në internet, për forcimin e perspektivës rinore në punën e Asamblesë e për marrëdhëniet midis pushtetit dhe opozitës. 

Sipas faqes zyrtare, parlamentarët do t’i trajtojnë propozimet për t'iu dhënë fund monitorimit të plotë të Shqipërisë dhe dialogut post-monitorues me Bullgarinë.

Bakoyannis la të hapur dilemën nëse raporti do të kalojë

Javën e kaluar, Dora Bakojanis e la të hapur dilemën nëse do të kalojë raporti i saj në fund të marsit ose jo.

Sipas saj, ka ende një listë të gjatë të rasteve të pazgjidhura që kanë të bëjnë me demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë.

Ajo paralajmëroi të propozojë një proces post-monitorues që mund të nisë nëse Këshilli i Ministrave të KiE-së vijon me votën e tij, sepse ai është përgjegjës për marrjen e vendimeve. 

Zyrtarë të Qeverisë në disa raste kanë thënë se tashmë janë siguruar votat e domosdoshme për anëtarësim, me gjithë fushatën lobuese të Serbisë. Madje kjo e fundit kërcënoi me largim nga Këshilli i Evropës, nëse e pranon Kosovën si anëtaren më të re. 

Në prag të vendimmarrjes edhe nga Mali i Zi ka paralajmërime për votë kundër. Partia Demokratike Popullore (PDP) në pushtet i ka kërkuar Maja Vukiçeviqit, që është kryetare e delegacionit malazias në Asamblenë Parlamentare, të votojë kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë. PDP-ja është njëra nga anëtaret e Frontit Demokratik (FD) prorus e proserb, që përbën shumicën parlamentare në Mal të Zi, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Evropa Tani e kryeministrit Millojko Spajiq.

Diskutimet me zyrtarët malazezë

Të martën zyrtarë të Ministrisë së Jashtme kanë zhvilluar konsultime politike me përfaqësues të Malit të Zi, ku është trajtuar edhe procesi i anëtarësimit në KiE. Por në komunikatën e MPJD-së nuk përmendet paralajmërimi i Malit të Zi për votë kundër Kosovës. 

“Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, koordinimin shumëpalësh, bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimet e fundit botërore. Fillimisht, zëvendësministri Ahmeti e njoftoi z. Raspopoviq për progresin e Kosovës në vitet e fundit. Në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe u diskutua për marrëveshjet në proces si në fushën e drejtësisë, ekonomisë, infrastrukturës rrugore dhe ajrore me qëllim të thellimit të bashkëpunimit midis dy vendeve. Ndërsa, sa i përket bashkëpunimit shumëpalësh u bisedua për integrimin evropian, përderisa me theks të veçantë u trajtua procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhet në komunikatë. 

Kur Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës pati dorëzuar në Asamblenë Parlamentare kërkesën e Kosovës për anëtarësim në prill të vitit të kaluar, përfaqësuesi i Malit të Zi pati votuar pro. Por atëkohë pati qeveri tjetër në Mal të Zi, që udhëhiqej nga Dritan Abazoviq.

Kosova e dorëzoi aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022, derisa më 24 prill 2023, aplikacioni iu përcoll për konsultim sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës. 
Nga 46 shtete anëtare sa janë në Këshillin e Evropës, Kosovës i duhet mbështetja prej dy të tretave.