Arbëri

Problemi i bërllokut - Kompania e afërt me LDK-në fiton tender 1 milion euro në Prishtinë

Nga e shtuna e kaluar, bërlloku nuk mblidhet më vetëm nga kompania regjionale “Pastrimi”, por edhe nga kompania e re “Alko Impex”, e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës.

Sipas kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, kjo nuk iu ka pëlqyer punëtorëve të kompanisë regjionale “Pastrimi”, të cilët, sipas tij, kanë sulmuar fizikisht punëtorët e kompanisë së re. 

“Për më shumë se një vit, sabotimi të motivuar politikisht nga menaxhmenti i kompanisë “Pastrimi”, kryeqyteti ynë ka qenë në llumin e mbeturinave. Tani që e zgjodhëm problemin, të njëjtit eksponentë eskaluan nga sabotimi në dhunë”, ka shkruar Rama në Facebook.

I shkarkuar me detyrim nga pozita e drejtorit të Shërbimeve Publike, nën arsyetimin për dështim në pastrim të qytetit, Ilirik Musliu thotë se si PDK, të cilët edhe udhëheqin me ndërmarrjen “Pastrimi”, nuk kanë asnjë informacion apo ndonjë emër të punëtorëve që kanë kryer këtë sulm.

Musliu thotë se kontraktimi i një operatori tjetër ekonomik për mbledhjen e mbeturinave është vetëm një kozmetikë se kinse po punohet diçka në Prishtinë.

Ai po ashtu akuzon se në vend që të ndihmohet ndërmarrja “Pastrimi”, ata do t’ua heqin një milion euro nga buxheti për të paguar kompaninë e re.

Në lidhje me këtë gjë, nga vet ndërmarrja e “Pastrimit” nuk kanë pranuar të deklarohen.

E gjithë kjo tollovi është krijuar për shkak të kontratës së negociuar të cilën Komuna e Prishtinës e ka nënshkruar në vlerë një milionë euro me kompaninë “Alko Impex”, pronar i së cilës është Imer Ademi, njeri i afërt me zyrtarët e LDK-së.

Madje ai ka marrë pjesë edhe në shihet në një tubim të LDK-së.

Sipas kontratës kjo kompani do ta bëjë grumbullimin e mbeturinave për një vit në në katër lagje të Prishtinës si: “Tophane”, “Dardani”, “Lakrishtë” dhe në lagjen “Qendër”.

Sipas drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, kontraktimi i kësaj kompanie ka qenë i nevojshëm, pasi “Pastrimi” nuk po e bën punën si duhet.

“Në bazë të një vendimi që është marrë në shkurt pas shpalljes së gjendjes emergjente pasi e dinë të gjithë qytetarët që kemi pasur një situatë të rënduar të mbeturinave dhe jemi obliguar komfor atij vendimi të marrim edhe disa veprime që të jepnin një siguri për qytetarët që të marrin në menaxhim të duhur problematikën që ka qenë me mbeturinat. Një hap i parë që është marrë ka qenë kontraktimi i 1370 kontejnerëve të rinj të cilët janë në fazën përfundimtare të shpërndarjes në lokacione të ndryshme. Si hap i dytë ka qenë edhe inicimi i procedurës për blerjen e 10 kamionëve të rinj për ndërmarrjen Pastrimi dhe hapi i tretë inkuadrimi i një operatori privat për 12 muajsh, që me angazhimi e tyre do ndihmonin për mbajtjen e qytetit pastër”, tha Brestovci.

Sipas Brestovcit, komuna ka njoftuar me kohë ndërmarrjen regjionale “Pastrimi”.

“Ndërmarrja Pastrimi nuk është pajtuar me një gjë të tillë, ata kanë supozuar se po ju bëhet një e padrejtë dhe kanë menduar se punëtorët e tyre do të mbesin të papunë. Është një panik që është krijuar pa arsye pasi komuna nuk e ka për qëllim një gjë të tillë, ne e kemi ndihmuar dhe po vazhdojmë ta ndihmojnë ndërmarrjen “Pastrimi” për forcim, por nuk kemi mund t’ia lejojmë më vetës ka qenë gjendja me grumbullim të mbeturinave vend e pa vend. Kjo ka çuar në revoltë dhe 3 prej tyre kanë marrë një vendim të dënueshëm jo të lejueshme”, shtoi ai.

Vet Musliu thotë se nuk e di si do të bëhet faturimi, pasi brenda qendrës po bëjnë grumbullimin e mbeturinave të dy kompanitë.

Përveç raportit 24 orësh, Policia e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë informacion më të hollësishëm për rastin e sulmit të cilën e ka deklaruar kryetari Rama.