Tymi i ardhur nga termocentralet e Obiliqit, ndezja e oxhakëve nëpër shtëpitë e lagjeve të Prishtinës e ngarkesa e madhe e veturave po bën që Prishtina të ketë ndotje të madhe të ajrit.
Nga matësi i ajrit në Ambasadën amerikane gjatë ditës së sotme, cilësia e ajrit kategorizohet si i pashëndetshëm, sidomos për grupet më sensitive.
Shpeshherë ky ajër del të jetë edhe më i pashëndetshëm, duke arritur kulmin e nivelit të shqetësimit për shëndetin.
E cilësia e tij përkeqësohet gjatë mbrëmjeve, e sidomos gjatë periudhave me temperatura më të ulëta gjatë dimrit.
Qytetarët thonë se ky ajër po ndikon shumë në shëndetin e tyre dhe se një rol të madh në ndotjen e tij po e luan edhe numri i madh i makinave.
Ata kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të bëjnë më shumë në këtë aspekt.
Si pasojë e ajrit të ndotur në Kosovë, rastet e alergjive dhe problemet me astmën janë shtuar shumë.
Pulmologu, Besim Morina, thotë se ndotja e ajrit është ndër faktorët kryesorë të sëmundjeve të mushkërive, porse ajo prek edhe organet tjera të trupit të njeriut.
Sipas tij, problemet më të mëdha i shkaktojnë makinat të cilat prodhojnë grimca të sulfurit.
Ai rekomandon që të evitohen daljet jashtë në kohën kur cilësia e ajrit është shumë e ndotur, sidomos për personat me sëmundje kronike, respiratorë dhe ata me alergji sezonale.
Si shkak i kësaj, pulmologji thotë se spitali i mushkërive në QKUK është stërmbushur.
Me problemin e ndotjes së ambientit me të cilën Prishtina përballet që një kohë të gjatë, nuk duket se po merren shumë institucionet.
E pyetur për këtë gjë, Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer ndonjë përgjigje rreth hapave që po ndërmarrin për përmirësimin e cilësisë së ajrit.