Arbëri

Prizreni me qendër për fëmijët e cenueshëm

Në fshatin Nashec të Prizrenit, të mërkurën, është hapur Qendra për fuqizimin dhe mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge dhe atyre në nevojë për mbrojtje. Iniciuesit e këtij projekti kanë theksuar se krahas shërbimeve të nevojshme për mbrojtje e edukim të fëmijëve, në këtë qendër do të ofrohet edhe mbështetje psiko-sociale për familjet e tyre

Ish-pushimorja e fëmijëve në Nashec të Prizrenit, e lënë pas dore prej vitesh, është funksionalizuar të mërkurën si Qendër për fuqizimin dhe mbrojtjen e fëmijëve të cenueshëm. Aty ka nisur ofrimi i shërbimeve të nevojshme për mbrojtje dhe edukim të fëmijëve në rrezik nga abuzimi apo trafikimi, sikurse edhe mbështetja për familjet e tyre.

Nezaqet Gashi nga Prizreni ka shkuar në këtë qendër me tre nipat e saj me shpresën që ata të arsimohen më mirë, por edhe të kenë respektin e duhur.

“Jemi me fëmijët këtu, me mësu diçka. Detyrat – na kanë thënë – ushqimi, për me dalë pak, qe kjo. Me pasë edukim më të madh fëmijët, respektin me pasë më të mirë. Për këtë i sollëm fëmijët këtu”, ka thënë Gashi.

Pajtim Zeqiri nga fondacioni “Terre des Hommes” në Kosovë ka bërë të ditur se në këtë qendër, për fëmijët e cenueshëm dhe familjet e tyre do të ofrohen shërbime ditore, si ato psikologjike, mësim plotësues, aktivitete psiko-sociale, rekreative, etj.

“Ne planifikojmë që çdo ditë t’i kemi 20-25 fëmijë, që kryesisht janë fëmijë në situatë rruge, fëmijë që janë në rrezik me dalë në rrugë, kështu që shërbimet do të ofrohen për këtë kategori të fëmijëve”, ka theksuar Zeqiri.

E Nona Zicherman nga UNICEF ka thënë se kjo qendër mundëson që fëmijët t’i gëzojnë të drejtat e tyre dhe të shijojnë aktivitete të ndryshme, teksa edhe familjet e tyre do të marrin mbështetje psiko-sociale.

“Për UNICEF-in është me rëndësi që të kujtojmë që fëmijët së pari janë fëmijë dhe të gjithë ata kanë të drejtë për edukim, për lojë, për jetesë në mjedis të sigurt familjar”, është shprehur Zicherman.

Keisuke Yamanaka, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, ka uruar që kjo qendër të jetë një vend ku fëmijët mund të kalojnë një kohë pa shqetësime dhe të mësojnë të sigurt.

“Jemi të lumtur që fëmijët, të cilët vijnë këtu të kenë një edukim më të mirë dhe si rrjedhojë të kenë një ardhmëri më të mirë”, ka thënë në ceremoninë hapëse, Yamanaka.

E Shaqir Totaj, kryetar i Komunës së Prizrenit, ka shprehur qëndrimin se ky projekt është i rëndësishëm për institucionet lokale meqë u përgjigjet nevojave të fëmijëve të cenueshëm.

“Fëmijët që do të trajtohen ose që do të marrin shërbime këtu janë ata fëmijë, të cilët janë si viktimë e dhunës ose në familje, ose janë viktimë e trafikimit, ose kanë mungesë të kujdesit në çfarëdo mënyre. Kjo është një qendër që do të japë shembull të mirë se si në nivel të shoqërisë do të përkujdesemi për fëmijët e kategorive të tilla”, ka theksuar kryetari Totaj.

Qendra për fuqizimin dhe mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge është jetësuar si rezultat i bashkëpunimit mes “Terre des hommes”- Kosovë me Komunën e Prizrenit, Ambasadën e Japonisë, Zyrën e BE-së në Kosovë dhe UNICEF-n. Sipas të dhënave të Ambasadës së Japonisë, kjo qendër pritet të mbrojë 160 fëmijë dhe të përmirësojë sistemin e mbështetjes për 70 kujdestarë të fëmijëve në Komunën e Prizrenit çdo vit.