Arbëri

Pritoret e papërfunduara edhe në këtë fundvit

Punimet i kanë nisur qe një muaj, e në disa vende po i vazhdojnë ende.

Pritorja te New Borni, afër BQK-së dhe ajo në rrugën “Agim Ramadani”, janë vetëm disa nga pikat ku po intervenohet në mbylljen e xhepave ku parkohen autobusët për marrjen e udhëtarëve.

Gent Sejdiu nga Drejtoria e Shërbimeve Publike thotë që kjo është bërë për lirimin e komunikacionit dhe për qasjen më të lehtë të personave me aftësi të kufizuara nëpër linjat urbane.

Kurse për qytetarët kjo zvarritje e punimeve po iu shkakton probleme, sidomos të moshuarve.

Selman’s Network është kompania e cila është kontraktuar për zhvillimin e punimeve në këto pika.

Vezir Lokaj thotë që punimet nuk kanë përfunduar në kohë, pasi diskutimet mes komunës dhe përfaqësuesve të personave me aftësi të kufizuara, kanë zgjatur.

Intervenime të ngjashme do të bëhen edhe në 10 pika të tjera të pritoreve në kryeqytet.

Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike Ilirik Musliu, pati deklaruar që në fund të tetorit projekti i pritoreve do të jetë i përfunduar.

Kurse pati premtuar që pritoret e reja do të jenë të pajisura edhe me softuerë dhe aplikacione që do t’i njoftojnë udhëtarët e linjave të “Trafikut Urban” edhe për kohën se kur do të vijë autobusi, si dhe për vonesat e tyre.

Megjithatë tani jemi në fund të vitit dhe shumë pritore në kryeqytet janë të pa përfunduara.