Arbëri

Pritje të ndryshme për përfshirjen që Trumpi do ta ketë në raportet Kosovë–Serbi

Rikthimi i idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë nuk është përjashtuar si opsion nga ish-bashkëpunëtorë të presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Ish-këshilltari për siguri, John Bolton, ka thënë se në kërkim të meritave dhe sukseseve në politikën e jashtme, Trumpi mund të shtyjë përpara ide të tilla por edhe t’ia kërkojë Serbisë njohjen e Kosovës. Daniel Serwer, që ka qenë kritik ndaj ish-presidentit Joe Biden për qasjen në Ballkan, thotë se nuk mund të priten ndryshime substanciale as me administratën e re

Pritje të ndryshme kanë njohës të politikës amerikane sa i përket qasjes që do ta aplikojë në Ballkanin Perëndimor presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Një nga ish-bashkëpunëtorët e tij, John Bolton, në një intervistë për A2 CNN nuk e ka përjashtuar as mundësinë e rikthimit të idesë së korrigjimit të kufijve, tek e ka përmendur edhe njohjen eventuale të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë.

“Mendoj se kjo është e mundur. Nëse ai do ta shihte këtë si diçka nga e cila mund të marrë merita, mendoj se do t’i kushtonte vëmendje menjëherë. Ky është një problem shumë kompleks dhe kjo zakonisht nuk e tërheq atë, por mendoj se do të tërhiqet nga çështjet e sigurisë në Evropën Lindore në përgjithësi, për shkak të luftës në Ukrainë. Është një moment i mirë për të zgjidhur sa më shumë mosmarrëveshje të vjetra”, ka thënë Bolton.

Nisma e korrigjimit të kufijve, që sipas Boltonit qe sugjeruar më parë nga ish-kryeministri britanik Tony Blair, nuk është se ka funksionuar. Bolton thotë se kjo do të kërkonte vendosmëri politike nga të dyja palët.

“Vetë unë jam përfshirë, me sugjerimin e ish-kryeministrit britanik Tony Blair për korrigjim të kufijve për të parë se çfarë mund të arrihej. Ishim optimistë, por fatkeqësisht nuk funksionoi. Për shkak të historisë në këtë rajon, duhet të afrohemi me sy të hapur. Siç thashë, nuk mendoj se ushtrimi i presionit do të funksionojë, dhe kur aktorë të pavarur ose, edhe më keq, njerëz që veprojnë në shërbim të qeverive për të shkaktuar dhunë, vetëm do ta bëjnë shumë më të vështirë zgjidhjen e situatës”, ka theksuar Bolton.

Sipas tij, çdo rregullim territorial duhet të ketë pëlqimin e plotë të Serbisë dhe të Kosovës.

“Nëse njëra palë pranon dhe tjetra jo, atëherë nuk keni marrëveshje. Kjo është e vështirë. Kërkon vendosmëri politike nga të dyja palët dhe ka shkaktuar shqetësim në pjesë të tjera të Ballkanit. Disa thonë se nëse ka një rregullim territorial midis Serbisë dhe Kosovës, mund të ketë edhe në zona të tjera. Unë nuk mendoj se ky është një shqetësim legjitim. Siç thashë, çdo palë duhet të bjerë dakord përpara se të ndodhin rregullime territoriale. Dhe vetëm sepse ndodh midis Serbisë dhe Kosovës nuk do të thotë që duhet të ndodhë edhe diku tjetër. Kështu që mendoj se është mjaft e vështirë të arrihet një marrëveshje vetëm midis Serbisë dhe Kosovës, pa përfshirë gjithë Ballkanin dhe pa bërë gjërat më të komplikuara”, ka thënë ai.

Por eksperti për Ballkanin, Daniel Serwer, i cili ka qenë kritik ndaj administratës së Joe Bidenit për qasjen ndaj Ballkanit dhe Kosovës në veçanti, thotë se nuk mund të priten ndryshime të mëdha as me administratën e re.

“Njerëzit në rajon, veçanërisht në Bosnjë dhe në Kosovë, kishin pritshmëri të mëdha për administratën e Bidenit në vitin 2020. Senatori Biden kishte qenë një avokat i fuqishëm i ndërhyrjeve të SHBA-së në Ballkan. Sekretari i Shtetit, Blinken, e njihte mirë rajonin. Ambasadori në Beograd, Chris Hill, ka qenë thellësisht i përfshirë në Dayton dhe më pas në Rambouillet dhe si ambasador në Maqedoni. Derek Chollet, këshilltar në shtet, ishte gjithashtu i njohur me situatën në Ballkan. Për habinë time, ata vendosën ta kthenin politikën amerikane në një drejtim të vendosur pro Beogradit”, ka potencuar Serwer.  

Qasjen e Trumpit, Serwer e ka lidhur me interesat ekonomike që tashmë kanë familjarë të tij në Ballkanin Perëndimor.

“Nuk pres të jetë më mirë nga administrata e dytë e Trumpit. Jared Kushner, dhëndri i Trumpit, që financohet nga Arabia Saudite, ka kërkuar projekte investimi si në Serbi ashtu edhe në Shqipëri. Me sa jam në dijeni, ai nuk e ka vizituar as Bosnjën apo Kosovën. Ju mund të prisni që Trumpi të mos bëjë asgjë që do të rrezikojë projektet e Kushnerit apo paratë e tij saudite. Kjo do të thotë një anim i vazhdueshëm drejt Beogradit dhe larg Prishtinës, por jo larg Tiranës. Shqipëria dhe Serbia bien dakord për shumë gjëra, duke përfshirë nevojën që presidentët e tyre të qëndrojnë në pushtet pa opozitë serioze. Amerikanët kanë qenë mbështetës nën administratën e Bidenit. Kjo do të vazhdojë edhe me Trumpin”, ka potencuar Serwer.  

Kritika ndaj administratës së Bidenit, së fundi ka dhënë edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, partia e të cilit e pati mbështetur publikisht Bidenin. Sipas Konjufcës, Bideni por edhe Obama më herët e kanë vënë Kosovën në disavantazh karshi Serbisë.

Atij i ka reaguar i emëruari i Trumpit për Misione të Posaçme, Richard Grenell.

“Kaluan katër vjetët e fundit duke komplimentuar Joe Bidenin dhe duke marrë pjesë në konventat dhe festat e tij. Pse nuk u ankuan kurrë më parë?”, ka shkruar Grenelli, i cili në mandatin e parë të Trumpit ka qenë emisar i SHBA-së për dialogun Kosovë–Serbi.

Grenell më 4 shtator 2020 i shtyu palët drejt arritjes së marrëveshjes për normalizim ekonomik. Pjesë e saj ishte dhe njohja e Kosovës nga Izraeli, por që shumica e pikave të tjera nuk janë zbatuar.