Arbëri

Pritet t’u vonohen pagat minatorëve, shkaku i faturës së papaguar nga Trepça

Flotacioni në Kishnicë ka një muaj që është pa energji elektrike, për shkak se ndërmarrja “Trepça” nuk i ka paguar faturat për energjinë e shpenzuar. Për pasojë, 3 mijë tonë xehe të nxjerra në minierën e Artanës, janë të pafiltruara. Në ndërmarrjen “Trepça”, thonë se furnizimi do të kthehet së shpejti, por thanë se shkaku i situatës mund të mos u ekzekutohen pagat punëtorëve

Mungesa e energjisë elektrike, ka bërë që rreth 3 mijë tonë xehe që janë nxjerrë nga miniera e Artanës, të mbeten tash e një muaj të pafiltruara në Flotacionin në Kishnicë.

Rryma është shkëputur pasi ndërmarrja “Trepça”, nuk ka kryer pagesat e faturave.

Ndonëse, dy javë më parë ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”,  Faton Ahmeti, i tha KOHËS se furnizimi me energji elektrike pritet të kthehet brenda javës, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Pritje të ngjashme kanë shprehur edhe të shtunën.

“Pritet që të gjitha obligimet ndaj KESCOS-s, ndërmarrja ‘Trepça’ t’i shlyejë shumë shpejt, do të thotë brenda këtyre dy-tri ditëve. Mungesa e energjisë elektrike ka sjellë probleme të mëdha në flotimin e xehes në Flotacionin e Kishnicës, sepse pa energji elektrike nuk mund të funksionojë asnjë pajisje e Flotacionit”, thuhet në një përgjigje të “Trepçës”.

Mungesa e energjisë elektrike dhe mosfiltrimi i 3 mijë tonë xeheve, sipas ndërmarrjes “Trepça”, mund të ketë pasoja edhe për pagat e minatorëve.

“Ndërmarrja ‘Trepça’ të hyrat kryesore i realizon përmes shitjes së koncentratit, do të thotë përmes prodhimit të koncentratit. Andaj, mungesa e energjisë elektrike drejtpërdrejt ndikon në prodhimin e koncentratit, do të thotë drejtpërdrejt ndikon në realizimin e të hyrave që si pasojë do të kemi probleme me ekzekutimin e pagave”, thuhet në përgjigjen e ndërmarrjes.

E njohësi i çështjeve ekonomike, Fidan Qerimi, thotë se fajin për këtë e ka Qeveria.

“Fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës nuk është që ka krijuar mundësi për Trepçën në përgjithësi, por në veçanti edhe për sektorët edhe njësitë e saj, sepse nuk ka krijuar një plan strategjik me të cilin duhet të mbulohen shpenzimet operative për të cilat duhet të investohet në krijimin e tyre. Kjo ka ndodhur në vazhdimësi. Kemi pasë shumë ndryshime në menaxhim, herë në ndryshim të drejtorit gjeneral e herë në udhëheqjen me ushtrues detyre”, ka thënë Qerimi.

E hulumtuesi në Institutin GAP, Besart Zhuja, numëron pasojat nga gjendja në Flotacionin në Kishnicë.

“Menaxhmenti shpreh shqetësime për rritjen e çmimeve të energjisë, por nuk e konsideron ndërprerjen e saj si rrezik – gjë që do të ishte dashur të konsiderohet seriozisht nga menaxhmenti meqenëse ajo përbën një nga faktorët e rrezikut që ndikojnë në rënie të prodhimit. Të hyrat e ulëta vështirësojnë funksionimin e minierës në fjalë për shkak se prodhimi i koncentratit të plumbit dhe zinkut është i ulët”, ka thënë Zhuja.

Njësia e Flotacionit e Kishnicës ndodhet në afërsi të Graçanicës dhe merret me prodhim të koncentratit të plumbit e zinkut që nxirret në minierën e Artanës.