Arbëri

Prishtinë: Gratë shtatzëna dhe fëmijët deri në 3 vjeç do të vizitohen në shtëpi nga mjeku

Ministria e Shëndetësisë ka nisur të mërkurën implementimin e projektit “Vizita në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët 0-3 vjeç” edhe në Komunën e Prishtinës.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se shëndetësia mbetet prioritet i Qeverisë.

“Jam i lumtur që edhe Prishtina po bëhet pjesë e vizitave për gratë shtatzëna dhe fëmijët deri në moshën 3-vjeçare. Përmes këtij projekti do bëhet preventimi i sëmundjeve. Shëndetësia mbetet prioritet i Qeverisë. 72 milionë euro kemi ndarë si grante për shëndetësinë e komunave të Kosovës e nga kjo do përfitojë shumë edhe Prishtinë. Është fokusi im kryesor shëndeti i qytetarëve”, ka thënë Vitia gjatë konferencës për shtyp në lansim të këtij projekti.

Ndërkohë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ky program do të ndikojë në përmirësimin e shëndetit të qytetarëve.

“Drejtoria e Shëndetësisë do ta zbatojë këtë program që është në interes të grave shtatzëna dhe foshnjave. Me një veturë, ekipi i kryeqytetit do e përshkojë gjithë qytetin për të vizituar të gjitha gratë/nënat, sidomos për ato nëna që jetojnë në zonat rurale dhe nuk mund të shkojnë vetë në një qendër të mjekësisë familjare. Shfrytëzojeni këtë program që do ndikojë në përmirësimin e shëndetit të qytetarëve tanë. Tani i kemi edhe infermieret të cilët janë trajnuar për këtë program”, ka thënë Rama.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka treguar se si do të ndihmohen këto kategori.

“Do të ndihmojmë te të porsalindurit, te këshillimi, këshilla për mënyrën e të ushqyerit, për vaksinim, këshilla për një mjedis sa më të mirë, vlerësimi psikofizik i nënës, për post-traumat pas lindjes, këshilla për përgatitje për gjidhënie, përgatitja për lindje e shumë të tjera”, ka thënë ai.