Arbëri

Prishtina zgjedh motrën e kryetarit Rama si mësimdhënësen më të mirë

Komuna e Prishtinës ka zgjedhur si mësuesen më të mirë, motrën e kryetarit Përparim Rama, Luljeta Muçaj.

Ajo është mësimdhënëse në shkollën “Ismail Qemali” në kryeqytet dhe për zgjedhjen e saj është shkruar në Facebokun e kësaj shkolle.

“Sot, në këtë ditë historike për shkollën tonë, është nder e përgjegjësi, që mësimdhënësja e këtij institucioni Luljeta Muçaj, u përzgjodh mësimdhënësja e dalluar e vitit, në nivel komunal, nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Prishtinë”, thuhet në postim.

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati, ka thënë se ajo është zgjedhur nga një komision i pavarur.

“Zgjedhjen e ka bërë fillimisht shkolla si në të gjitha shkollat dhe pastaj është një komision në DKA të cilët e kanë vlerësuar si më të mirën e jo pse është motra e kryetarit. Komisioni është i pavarur”, është shprehur Musmurati.

Musmurati ka thënë se dosjet janë të hapura për verifikim nga publiku për të parë se zgjedhja është bërë me meritë.

Ndërsa këshilltari komunal i Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla ka thënë se nuk ka informacion për nivelin profesional të Muçajt.

“Vetëm shpresoj që është përzgjedhur në bazë të meritave të saj e jo për shkak se është motra e Kryetarit. Të paktën këtë e shpresoj. Duke e ditur se si funksion lidhja familjare në LDK, mbetet vetëm të shpresoj se ky nuk ka qenë rasti te përzgjedhja e zonjës Muçaj”, ka theksuar Sveçla.