Arbëri

Prishtina vazhdon të ketë numrin më të madh të rasteve me koronavirus, ndalohen vizitat në burgje

Në 169 ka shkuar numri i të infektuarve me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit.

Ndërsa dy persona kanë vdekur nga Covid-19, një pacient i Klinikës Infektive dhe një në Mjekimin Intensiv, duke e çuar në 659 numrin e të vdekurve, raporton KOHA.

IKSHPK-ja njofton se 85 persona janë shëruar, ndërsa Prishtina vazhdon të ketë numrin më të lartë të të infektuarve me 71 raste pozitive.

Rritja e numrit të të infektuarve ka shtyrë Shërbimin Korrektues të Kosovës që t’i rikthejë masat nëpër burgje për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Ka dy ditë që Shërbimi Korrektues ka ndaluar të gjitha vizitat e familjarëve, organizatave joqeveritare dhe vizitat e të burgosurve gjatë vikendeve.

Drejtori i Burgut të Dubravës, Ismail Dibrani, thotë se të gjithë të burgosurit që kanë ardhur gjatë kësaj kohe janë futur në karantinë.

Në Kosovë deri më tani mbi 17 mijë persona janë infektuar, ndërsa mbi 14 mijë janë shëruar. Ndërsa mbesin aktivë afër 2 mijë raste.