Në cepin e hapësirës së ndërtesës së Qeverisë, afër tabelës për personat e pagjetur, është lokacioni i caktuar për shtatoren e heroit kombëtar, Adem Jashari, në mënyrë që ai të jetë pranë shtatores së Skënderbeut e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Ky vendim u mor nga Kuvendi Komunal i Prishtinës në vitin 2019.
Por 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Prishtina ende nuk e ka shtatoren e Adem Jasharit, dhe për më tepër diskuton se ku do ta vendosë atë.
Qeverisja e tanishme, për vitin 2023 ka ndarë 200 mijë euro për ndërtimin e kësaj shtatoreje dhe pretendojnë që 28 Nëntori të jetë data kur kjo shtatore do të vendoset në Prishtinë.
“Ende nuk kemi vendim final për lokacion dhe veçse e kemi buxhetuar si linjë. Jemi në përgatitje të specifikave për shpalljen e thirrjes për ndërtimin e shtatores. Plani ynë është që 28 Nëntorin tjetër ta presim me shtatoren e Adem Jasharit në kryeqytet”, ka thënë Donjeta Sahatçiu, nënkryetare e Prishtinës.
Iniciator për vendosjen e kësaj shtatoreje ishte PDK-ja, dhe është pro lokacionit të miratuar në Kuvendin Komunal.
“Fillimisht i kemi disa vendime që këtë çështje e shtynë më afër vendosjes së shtatores së Adem Jasharit në Prishtinë. E kemi një vendim i cili flet për lokacionin që është ndarë në vitin 2019 për shtatoren e heroit Adem Jashari në Prishtinë. E dyta është që kjo çështje të fillojë të realizohet dhe kemi kërkuar që buxheti të ketë një linjë të ndarë të buxhetit 2023 dhe në këtë fillimvit do të kujdesemi, edhe drejtoritë përkatëse, të fillohet thirrja për aplikimin e skulptorëve për realizimin dhe zgjedhjen e mekëtës më të mirë që do të ndodhë edhe pas një debati me qytetarët për zgjedhjen e shtatores, e cila duhet të jetë ajo shtatore që e do kryeqyteti dhe do ta vendosë kryeqyteti”, ka thënë Leutrim Retkoceri, shef i asamblistëve të PDK-së në Prishtinë.
Ai shpreson që shtatorja t’u përgjigjet kohës dhe kërkesave të qytetarëve të Prishtinës.
“Ne duhet të dalim përtej kufizimeve të lagjeve e shesheve dhe ne duhet të shikojmë rëndësinë e vendosjes së kësaj shtatoreje dhe përfshirja e qytetarëve në këtë projekt është me rëndësi se cila është forma dhe mënyra e duhur për realizimin e heroit në shtatore, që shpresoj se do të jetë shtatore që do t’i përgjigjet kohës, do t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve të Prishtinës dhe në fund kur të vendoset do të jetë një shenjë e mirë që më në fund vlera e madhe kombëtare po vendoset dhe po kthehet në Prishtinë”, ka thënë Retkoceri.
Prishtina ka sheshin “Adem Jashari”, por shtatorja e heroit u kundërshtua të vendosej këtu derisa aty qëndron monumenti i bashkim-vllaznimit.
Këtë lokacion e kanë kundërshtuar edhe përfaqësuesit e familjeve të dëshmorëve.
“Nuk është i përshtatshëm, sepse ky memorial që është prapa nesh është sinonim i së keqes që ka ndodhur ndër vite me popull tonë që simbolizon bashkim-vëllaznimin. Ky vend ka dashur të ketë dekompozim të asaj që e kanë përdorur serbët, është strukturë që i bën nder. Ne nuk jemi të kënaqur të vendosim këtu shtatore, sepse të dyja bashkë nuk shkojnë”, ka thënë Naser Pacolli, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve.
Sipas tij, vendi më i përshtatshëm për vendosjen e kësaj shtatoreje është mes asaj të Skënderbeut dhe Ibrahim Rugovës.
“Duhet të vendoset afër shtatores së Skënderbeut pikërisht në 555- vjetorin e lindjes së Skënderbeut, mendoj se edhe ai e ka vendin aty, sepse në fund të fundit ka qenë në luftë për çlirim edhe në atë kohë, por edhe Adem Jashari në këtë kohë. I vetmi lokacion që do t’i bënte nder është pranë shtatores së ‘Skënderbeut’”, ka thënë ai.
Adem Jashari është komandanti legjendar i Kosovës, i cili në luftën e fundit kundër Serbisë flijoi veten dhe familjen e tij për çlirimin e vendit.