Prishtina me statistika zyrtare ka rreth 200 mijë banorë, mirëpo në zgjedhjet e fundit lokale në Komunën e Prishtinës të drejtë votimi kanë pasur 195 mijë qytetarë.
Për më shumë se një dekadë kryeqyteti merr buxhet për këtë numër të banorëve, pavarësisht që vazhdimisht ka banorë të rinj nëpër lagjet që vazhdojnë të ndërtohen.
Kryetari Përparim Rama ka thënë që në kryeqytet aktualisht jetojnë mbi 400 mijë qytetarë dhe pret që edhe kjo të dalë në statistika.
“Ne marrim numra prej nivelit qendror që të mund të punësojmë administratorë dhe shërbyes civilë, të cilët do të mund t’u shërbejnë qytetarëve. Ne marrim leje për të t’i punësuar një numër të caktuar në relacion me numrin e banorëve rezidentë të kryeqytetit. Mirëpo, sikur sot për shembull që Prishtina i ka të regjistruar 189 mijë banorë, kështu si e dimë ne në bazë të metrave të rrymës dhe të ujit, numri i qytetarëve të cilët jetojnë në kryeqytet janë mbi 400 mijë banorë e kjo është edhe në bazë të matjeve që i ka bërë edhe Banka Botërore. Pra, është dyfishi i qytetarëve që u shërbejmë me gjysmën e stafit që e kemi për momentin, prandaj është e rëndësishme që të bëhet regjistrimi i saktë i popullsisë”, ka thënë Rama.
Derisa regjistrimi ka nisur të premten, pyetësori përfshin edhe pyetje se ku jetojnë shumicën e ditëve të javës dhe ku paguajnë fatura rrymi e uji.
Prishtina përveç buxhetit për kokë banori merr edhe buxhet shtesë si kryeqytet.