Kryeqyteti

Prishtina pret që pas regjistrimit të popullsisë t’i rritet buxheti

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka ftuar të gjithë banorët që marrin shërbimet në kryeqytet të regjistrohen si banorë të saj. Në këtë mënyrë, Zogaj pret rritje të buxhetit për Komunën e Prishtinës. Regjistrimi i popullsisë në Kosovë ka nisur sot [5 prill]. Nga regjistrimi i fundit i vitit 2011, Prishtina numëron rreth 200 mijë banorë. Por vazhdimisht është thënë se ky numër është dyfishuar, ndërsa Komuna merr buxhet nga Qeveria vetëm për 200 mijë banorë.

Me regjistrimin e ri, Komuna e Prishtinës pret që numri i banorëve të rritet e rrjedhimisht edhe buxheti.

“Regjistrimi i popullsisë në kryeqytet nuk e tregon realitetin. Sipas matjeve të fundit, në kryeqytet jetojnë 350 deri në 400 mijë banorë gjatë javës. Në kohën e verës, Prishtina ka gjysmë milioni banorë. Ndërkohë buxhetin për kryeqytetin e marrim për 200 mijë banorë. Kryeqyteti i ofron shërbime 300-400 mijë banorë gjatë javës, ndërsa e ka buxhetin për 200 mijë banorë. I ftojmë të gjithë ata që jetojnë në Prishtinë, që punojnë në Prishtinë baza javore, që marrin shërbime shëndetësore apo arsimore në Prishtinë, të regjistrohen si banorë të kryeqytetit. Ne besojmë se ky pyetësor është i duhur për të kapur këtë pjesë, pasi është pyetja ‘ku e kaloni kohën gjatë javës’. Besojmë se do të kapë rezidentët që jetojnë gjatë javës në Prishtin”, ka thënë Zogaj në “038” të KTV-së.

Sipas Zogajt, regjistrimi i duhur i popullsisë në kryeqytet është i rëndësishëm për planifikimet në të ardhmen.

“Me vullnetin e plotë dhe interesin e përbashkët që kryeqyteti të ketë regjistrim më real sa të jetë e mundur, sepse i ndihmojmë vendit. Është i rëndësishëm për planet në të ardhmen. Gjithçka perfeksionohet kur e dimë sa banorë i kemi”, ka shtuar ai.

Zogaj ka bërë të ditur se i kanë 150 milionë euro për t’i investuar gjatë vitit 2024. Ka paralajmëruar se gjatë këtyre javëve do të nisin projektet e mëdha të premtuara nga kryetari Përparim Rama.

“Javën e ardhshme do të hapet për tenderim tuneli në rrugën “Agim Ramadani”, që do t’ia japë një pamje tjetër Prishtinës. Në bulevardin ‘Xhorxh Bush’ fillojnë punët gjatë kësaj vere. Kah fundi i vitit besojmë se do ta kemi pamjen e re”, ka deklaruar nënkryetari i Prishtinës.

Zogaj ka premtuar se deri në fund të vitit s’do të ketë më probleme me mbeturina.