Shtatë komuna me shumicë shqiptare kanë shpenzuar më pak se 75 për qind të buxhetit për shpenzime kapitale, shkallë kjo që ua pamundëson të përfshihen në garë për grantin e performancës, që ka vlerën 5 milionë euro. Paaftësi më të madhe për të realizuar të tilla shpenzime ka treguar Prishtina, e në kategori me të është edhe Drenasi, ani se për vitin paraprak ishte shpallur “komunë kampione” për performancë
Prishtina është komuna me performancën më të dobët, pas Mitrovicës së Veriut, për kah shpenzimi i buxhetit vjetor për projekte kapitale.
E dhëna del nga krahasimi i raporteve të sivjetme të Auditorit të përgjithshëm për secilën komunë veç e veç.
Në raportin për kryeqytetin tregohet se vitin e shkuar, buxheti final për investime kapitale ishte në vlerë 49.8 milionë euro, por nga e cila shumë janë shpenzuar vetëm 16.4 milionë euro, përkatësisht 33 për qind e buxhetit të planifikuar. Në raport theksohen disa nga arsyet e ngecjes.
“Trend i ulët i shpenzimit të buxhetit dëshmon mosangazhimin e Komunës për të planifikuar, menaxhuar dhe mbikëqyrur realizimin e projekteve kapitale. Gjithashtu, edhe fillimi i projekteve pa i zgjidhur çështjet pronësoro-juridike, pastaj vonesat në inicimin e procedurave të prokurimit, ankesat në OShP, si dhe vonesa në realizimin e punimeve, pandemia, ishin arsyet e realizimit të ulët të buxhetit për këtë kategori”, shkruhet në faqe 39 të Raportit të Auditorit për Prishtinën.
Nga paaftësia në shpenzimin e kësaj kategorie, buxheti do t’i penalizojë shtatë komuna me shumicë shqiptare: Prishtinën, Fushë-Kosovën, Shtimen, Prizrenin, Skenderajn, Vushtrrinë dhe Drenasin.
Prishtina me 32.9 për qind i prin listës për performancë të ulët, pasuar nga Fushë Kosova me 50.2 për qind, Shtimja me 64.9 për qind, Prizreni me 67.1 për qind, Skenderaj me 68.1 për qind, Vushtrria me 71.2 për qind dhe Drenasi me 74.3 për qind.
Sipas një udhëzimi administrativ, shpenzimi nën 75 për qind i buxhetit për investime kapitale ua pamundëson që të përfshihen në garë për grantin e performancës, i cili është rreth 5 milionë euro. Kësisoj, në këtë garë nuk do të mund të hyjë as Drenasi, ani se në vitin paraprak ishte shpallur “komunë kampione”.
E Komuna e Vitisë është ajo që ka treguar performancë më të mirë në këtë kategori shpenzimesh.
Buxheti final për investime kapitale ishte rritur për 1 milion e 73 mijë euro. Rritja ishte rezultat i grantit qeveritar prej rreth 1 milion eurosh, i bartjes së të hyrave vetjake nga viti paraprak prej mbi 100 mijë eurosh dhe nga huaja 7,980 euro.
“Ky buxhet është shpenzuar 98 për qind. Në shpenzimin kaq të lartë të buxhetit ka ndikuar edhe pagesa e obligimeve nga vitet e kaluara në shumën prej 145,757 eurosh përmes pagesave direkte nga Thesari”, shkruhet në faqen 16 të Raportit të Auditorit për Komunën e Vitisë.
Mbi 90 për qind, buxhetin e dedikuar për projekte kapitale e kanë shpenzuar vetëm Peja, Rahoveci, Malisheva, Klina, Graçanica dhe Leposaviqi.