Më 31 janar është mbajtur mbledhja e parë e Kuvendit Komunal të Prishtinës, e cila nuk arriti të përfundonte në tërësi.
Megjithëkëtë, Komuna e Prishtinës nuk do të mbajë një mbledhje të rregullt për problemet që presin zgjidhje, por do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme më datën 24 shkurt.
Të premten, duke filluar nga ora 10:00, Prishtina do të mbajë seancë për Ukrainën, në shenjë solidarizimi dhe thirrje për paqe.
Për këtë ka reaguar opozita e Prishtinës duke thënë se Prishtina duhet të mbajë edhe seanca të rregullta ku trajtohen problemet e qytetarëve të saj.
“Nuk ka të keqe me mbajt mbledhje Kuvendi Komunal i Prishtinës në mbështetje të Ukrainës. Por, s’kishte me qenë keq me mbajt edhe ndonjë mbledhje pune ku kishin m‘u trajtu problemet e qytetarëve të Prishtinës. Edhe një javë hyjmë në muajin e tretë të këtij viti e Kuvendi Komunal e ka pasë vetëm një seancë të rregullt deri më tani. Edhe ajo është ndërprerë në mungesë të kuorumit”, ka thënë shefi i grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla.
Reagime ka pasur edhe nga qytetarët, të cilët kanë treguar se si ndërkohë të moshuarit vazhdojnë të presin autobusin nëpër stacionet pa pritore.
“Nuk u kanë keq me u marrë edhe me do pritore të busave, mos me mbetë kështu qytetarët, me u ulë në cunga”, ka qenë reagimi i një qytetari në statusin e Sveçlës, duke e shoqëruar me një fotografi.
