Mbeturinat kanë mbushur lagje të ndryshme të Prishtinës, shkaku i grevës disaorëshe që e mbajtën të martën punëtorët e kompanisë “Pastrimi”. Situata prodhoi reagime nga Komuna e Prishtinës dhe nga kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes, që shkëmbyen akuza publike ndaj njëri-tjetrit për situatën e krijuar
Përplot me mbeturina kanë qenë të martën kontejnerët e bërllokut nëpër lagje të shumta të Prishtinës, si pasojë e grevës së mbajtur nga punëtorët e kompanisë “Pastrimi”.
Për gjendjen e krijuar, në Komunën e Prishtinës fajësuan bojkotin që punëtorët e ndërmarrjes e ndërmorën për të shprehur pakënaqësinë ndaj kryeshefit të “Pastrimit”.
“Punëtorët e kompanisë së pastrimit kanë hyrë në grevë, duke kërkuar largimin e kryeshefit të tyre, dhe kjo ka sjellë kaos në zonat ku kjo kompani mbulon menaxhimin e mbeturinave! Kjo situatë ka lënë disa pjesë të qytetit pa menaxhim të mbeturinave, duke krijuar një situatë të rëndë që kërcënon shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Protesta sot është ndërprerë, por sigurisht se do të duhen disa ditë që të sanohet dëmi nga ky bojkot”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Ndonëse për ndërprerjen e grevës u njoftua vetëm disa orë pas nisjes së saj, punëtorë të “Pastrimit” nuk pranuan të deklarohen rreth ndërprerjes së punës e pakënaqësive të tyre.
Disa nga ta, nëpërmjet postimeve në platformën “TikTok”, thanë se e gjitha është protestë e disa individëve për arsye personale.
E kryeshefi ekzekutiv i kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi”, Petrit Reçica, nëpërmjet një njoftimi në Facebook, e akuzoi Komunën për dezinformim të qëllimshëm ndaj tij dhe ndërmarrjes publike, me qëllim të favorizimit të operatorëve privatë. E punëtorëve u premtoi zgjidhje të përgjegjshme e të drejtë për shqetësimet e shprehura.
“Njëkohësisht, ftoj Komunën e Prishtinës, si aksionari më i madh i kësaj ndërmarrjeje publike, që të shmangë politizimin e situatës dhe të punojë me ne për të mbështetur ndërmarrjen dhe për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve. KRM ‘Pastrimi’ siguron qytetarët se punëtorët kanë dalë në punë! Nga Komuna e Prishtinës presim të ndihmojë ndërmarrjen publike me kamionët e rinj dhe kontejnerë para se të nxisë protesta politike”, ka shkruar Reçica.
Brenda dy javësh punëtorët e “Pastrimit” kanë protestuar dy herë para objektit të Komunës së Prishtinës për të kërkuar përmbushjen e premtimeve për furnizim me kamionë të rinj, si dhe anulimin e tenderit për angazhimin e privatëve në grumbullimin e mbeturinave.