Ambicioz e me projekte të mëdha, erdhi Përparim Rama nga Londra në Prishtinë, ku qytetarëve u premtoi zgjidhje për shumë telashe.
Zgjerimi dhe ridefinimi i Qendrës ishte njëri nga premtimet.
Tha se do të bënte lidhjen e lagjeve përreth qendrës duke iu dhënë përparësi këmbësorëve dhe jo veturave.
E platformat lidhëse do të shfrytëzoheshin si vendparkingje.
Njëra ndër platformat lidhëse ishte ajo e Dragodanit me Pallatin e Rinisë.
Kanë mbetur edhe pak muaj deri në përfundim të mandatit dhe projekti i cili u premtua se do të realizohej për 3 vjet nuk u përmbush.
Punimet kanë nisur muaj më parë megjithëse pa pasur leje nga Instituti i Monumenteve të Kosovës për vazhdimin e këtij projekti përtej hekurudhës.
Sipas premtimeve të Ramës, Prishtina do të kishte edhe një nënkalim të veturave nga rrethi i Veternikut deri te Stacioni i Autobusëve. Kjo do të shërbente për lidhjen e lagjeve Dardania dhe Kalabria.
Por ajo çfarë ndodh çdo ditë është krijimi i kolonave më të mëdha pikërisht në këtë pjesë.
Premtime e projekte të mëdha kishte dhe për lagjen Ulpiana, konkretisht për Soliterët.
Përveç ndryshimit të fasadës së bërë nga ndërmarrja publike banesore, asnjë ndryshim nuk u bë përgjatë këtyre viteve, në lagjen ku vetë Rama kaloi fëmijërinë.
E ndërtimi i sheshit deri te “Rrethi me Flamur” nuk u diskutua më fare pasi bllokadat e para i gjeti në rrugën “Xhorxh Bush” ku punimet i filloi pa pasur leje.
Puna nuk po vazhdon, por rrethojat kanë mbetur pengesë për qytetarët.
Ajo çfarë ka bërë Rama gjatë këtij mandati, sipas asamblistit të Vetëvendosjes Feim Osmani është bllokimi i qytetit dhe i veturave.
“Shumica e banorëve nuk i mbajnë mend premtimet e Përparim Ramës për shkak se kanë qenë jashtëzakonisht shumë. Ata që nuk kanë mundësi t’i rikujtojnë përmes një video është problem ta mbajnë në mend se cili ka qenë premtimi i tij kryesor. Qendra ka qenë pikësynim i tij kryesor me të cilin besoj ka marrë shumë vota. Premtimi për qendrën ka qenë i jashtëzakonshëm. Pati thënë se do ta ndryshojë qendrën e Prishtinës nga gjashtë anët e qytetit. Pra 7 minuta deri në qendër. Vetëm një e ka realizuar. Bllokim i qytetit dhe i veturave”, ka thënë Osmani.
Sipas tij, në zgjedhjet e ardhshme lokale duhet ndëshkuar LDK-ja që gjatë këtij mandati pati një alternativë të gabuar.
“Duhet të ndëshkohet LDK sepse e ka pasur një alternativë të gabuar. Përparimi nuk do të jetë përsëri sepse mendoj që nuk do të kandidojë fare dhe kjo veçse shihet tani. Qytetarët e kanë pa se çfarë mund t’i bëjë Prishtinës nëse do t’i jepet edhe një mundësi”, ka shtuar Osmani.
Por përveç qendrës, sipas Osmanit asnjë premtim nuk u përmbush as në periferitë e Prishtinës.
“Nuk e mbaj në mend që kryetari i Prishtinës ka dalë ndonjëherë e ka vizatur periferinë. Nuk e dinë gjendjen dhe nuk i ka bërë as me investime e as me fonde. Disa rrugica të vogla i ka bërë nëpër fshatra dhe pa projekte e pa fonde në dispozicion. I ka detyruar banorët të heqin dyert e oborreve për shtrimin e rrugicave dhe nuk i kanë shtruar”, ka thënë Osmani.
E qytetarë janë të zhgënjyer me atë që Rama ka bërë gjatë këtij mandati.
“S’po mundem të shprehem. Me komunikacion që e ka mbyllur... ka diçka përparime, por jo ajo që është pritur e s’mund të bëhemi metropol këtu e të krahasohet me Londër atje ku jeton”, ka thënë një qytetar.
“Projekte të mëdha s’ka. Kurrgjë. Më shumë në aspektin kulturor, çka po di unë, disa evenimente... Trotuaret e diçka ka punuar, por për mua shumë pak. Sipas premtimeve nuk ka...”, ka thënë një tjetër.
KOHA ka kërkuar një intervistë me Ramën për të gjitha këto premtime që ka dhënë, mirëpo, sipas përgjigjes së zyrës për media kjo gjë është e pamundur për momentin.