Prishtinës dhe Gjilanit i imponohen zgjedhje të parakohshme për Kuvend Komunal, nëse deri në mars nuk i miratojnë buxhetet. Në mungesë vendimmarrjeje, në të dyja komunat ku shumica e asamblistëve i përkasin opozitës, do të ketë pasoja edhe në realizimin e projekteve kapitale
Dy javë më parë, Kuvendi i Kosovës miratoi buxhetin për vitin 2025, e në të u përfshinë edhe projeksionet buxhetore që Komuna e Prishtinës dhe ajo e Gjilanit nuk i kanë miratuar paraprakisht.
Pushteti lokal në Gjilan nuk ka dhënë arsye për mungesën e vendimmarrjes për buxhet.
Kuvendi Komunal dominohet nga opozita dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Kushtrim Kadriu, fajësoi ekzekutivin lokal për mungesë iniciative për ta votuar buxhetin.
“Kjo është një propagandë e madhe, e cila po bëhet tash e sa kohë me mosmiratimin e buxhetit. Kjo është një arsyetueshmëri që ekzekutivi lokal po e bën karshi qytetarëve për ta arsyetuar mospunën e tyre. Nuk ka pasur asnjë tentativë për miratimin e buxhetit dhe nuk pres që të ketë tentativa të tjera”, ka thënë Kadriu.
Edhe në Prishtinë, partia që udhëheq me Komunën nuk e ka shumicën në Kuvendin Komunal. As ajo nuk e ka miratuar buxhetin.
Të dyja komunat pritet të përballen me pasoja, thotë hulumtuesi i Institutit GAP, Bekim Salihu.
“Komunat humbin mundësinë që të nisin në formë të rregullt për vitin e ardhshëm fiskal. Pra do të kenë vështirësi në nisjen e prokurimit publik, të investimeve kapitale, të ekzekutimit të kontratave kolektive nga mallrat dhe shërbimet si dhe planifikimin në fushën e subvencioneve”, ka thënë Salihu.
Sipas Salihut, komunat mund ta miratojnë buxhetin deri në mars të vitit të ardhshëm, e nëse kjo nuk ndodh, atëherë imponohen zgjedhjet e parakohshme.
“Të vetmen kategori që komunat kanë të drejtë ta shfrytëzojnë nga janari deri në mars është kategoria e pagave dhe pas marsit, as këtë kategori nuk munden ta shfrytëzojnë nëse nuk e miratojnë buxhetin deri më datën 1 mars. Nëse deri më 1 mars nuk e miratojnë buxhetin, atëherë ato duhet t’u nënshtrohen zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.
Buxheti për vitin 2025 është 3.6 miliardë euro. Bazuar në të, Prishtina ka buxhet për projekte kapitale 46 milionë euro, e Gjilani 8.4 milionë euro.