Arbëri

Prindërit përballen me sfida për t’i siguruar materialet e nevojshme shkollore

Rreth një javë para nisjes së vitit të ri shkollor, prindërit po përballen me vështirësi për t’i siguruar librat për fëmijët e tyre. Disa prej tyre ankohen se subvencionimi nga Qeveria nuk u ka mjaftuar për t’i blerë të gjitha mjetet e nevojshme. E në Ministrinë e Arsimit nuk ofruan të dhëna mbi numrin e prindërve që janë rimbursuar deri më tani

Mjellma Sopjani po e bën pagesën në vlerë prej 60 eurosh për blerjen e librave që i nevojiten djalit të saj për nisjen e vitit të ri shkollor, më 2 shtator.

Tek ka mbetur edhe rreth një javë deri në nisjen e mësimit, ajo thotë se subvencioni prej 80 eurosh që e ka pranuar nga Qeveria pas aplikimit, nuk është i mjaftueshëm për t’i mbuluar shpenzimet për të gjitha mjetet e nevojshme shkollore.

“Për libra mjafton, por për pjesën tjetër, fletoret e këto jo, nuk po mundemi krejt me i mbulu me këto të holla”, thotë Sopjani.

Një tjetër prind, Driton Zogaj, është ankuar edhe për shkak se jo të gjitha tekstet shkollore arrijnë t’i sigurojnë. 

“Po është shumë vështirë me i gjete librat në një librari... Herë po duhet me shku te libraria Dukagjini, herë të Albasi, herë në Fushë-Kosovë”, është ankuar ai.

Shitja e librave për vitin e ri shkollor ka nisur që nga e premtja. E disa nga prindërit janë ankuar se për blerjen e tyre ende nuk e kanë pranuar rimbursimin nga Qeveria.

Në Ministrinë e Arsimit të shtunën nuk ofruan të dhëna mbi numrin e prindërve që tashmë janë rimbursuar, teksa shtuan se deri më tash ka pasur më se 170 mijë aplikime. 

“Këtë vit kemi filluar më herët procesin e subvencionimit për furnizim me tekste shkollore dhe nga të dhënat që i kemi nga platforma e-Kosova, deri tani kanë aplikuar më shumë se 170 mijë aplikantë dhe janë duke u disbursuar të gjithë. Me këto mjete, prindërit dhe kujdestarët ligjor po i sigurojnë tekstet dhe materialet tjera të nevojshme shkollore për të gjithë nxënësit. Jemi shumë të kënaqur me mbarëvajtjen e këtij procesi dhe urojmë që ky vit të fillojë mbarë e suksesshëm në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës”, ka thënë Edona Kutleshi, zëdhënëse në këtë ministri.

Në shtëpitë botuese thanë se çmimi i sivjetmë për librat nuk ka ndryshuar shumë krahasuar me vitin e shkuar.

“Çmimi i librave nuk është që ka ndryshu, është i njëjtë sikur vitin e kaluar. Sivjet është diçka më e mirë sepse çdo libër e ka çmimin mbrapa që na e bënë edhe neve punën më të lehtë”, ka thënë Arben Bajoku, menaxher në librarinë “Pena”.

Këtë e theksoi edhe Blerim Muhaxhiri, drejtor në librarinë “Dukagjini”.

“Çmimet e librave nuk mundemi me thanë çmim fiks për shkak se përzgjedhja nëpër klasa dhe shkolla bëhet ndryshe. Klasa e parë, 40-50 euro, varësisht prej shtëpive botuese, ku janë përzgjedh. Klasa e katërt, 70-75 euro, klasa e gjatë 100-105 euro”, ka thënë ai.

Qeveria ka ndarë 7.3 milionë euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për këtë vit. Ky është viti i dytë që Ministria e Arsimit e ka zbatuar formën e subvencionimit të prindërve për blerjen e librave shkollorë. 

 

Përgatiti: Ardona Popova