Sipas burimeve brenda shkollës, prindërit e njërës prej nxënëseve që janë përfshirë në zënkë gjatë së mërkurës kanë shkuar te mësimdhënësit në sallën e mbledhjeve, me ç’rast kanë goditur tavolinën e tyre dhe e kanë sulmuar fizikisht kujdestaren e vajzës së tyre. Për pasojë, burimet kanë thënë se njëra nga mësimdhënëset, e cila ka qenë aty dhe është edhe shtatzënë, ka përfunduar në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) për trajtim shëndetësor. Policia ka iniciuar rast për vepra penale “sulm” dhe “kanosje”
Tri mësimdhënëse të shkollës fillore “Iliria” në Prishtinë janë kanosur dhe janë sulmuar nga prindërit e një nxënëseje, e cila gjatë së mërkurës është përfshirë në zënkë me një nxënëse tjetër.
Rasti mes dy nxënëseve ka përfshirë më pas edhe prindërit e tyre. Sipas burimeve brenda shkollës, prindërit e njërës prej nxënëseve kanë shkuar te mësimdhënësit në sallën e mbledhjeve, me ç’rast kanë goditur tavolinën e tyre dhe e kanë sulmuar fizikisht kujdestaren e vajzës së tyre.
Për pasojë, burimet kanë thënë se njëra nga mësimdhënëset, e cila është edhe shtatzënë, ka përfunduar në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) për trajtim shëndetësor.
Drejtoresha e shkollës, Drita Nishevci, nuk ka pranuar të prononcohet lidhur me rastin. Në telefonatën që ia bëri KOHA, ajo ka thënë shkurtimisht se çështja është rregulluar dhe e ka ndalur telefonin.
Rasti është raportuar edhe në Polici. Në një përgjigje për KOHËN, në Polici kanë bërë të ditur se është hapur rast për vepra penale “Sulm” dhe “Kanosje”.
“Rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën për një mosmarrëveshje në mes të disa personave në një shkollë në lagjen ‘Kodra e Diellit’. Menjëherë policia është marrë me rastin. Palët e përfshira janë intervistuar dhe, me vendim të prokurorit, ndaj dy personave janë iniciuar dy raste (sulm dhe kanosje)”, kanë thënë në Polici.
Burime të KOHËS në QKUK kanë treguar se mësimdhënësja e kanosur ka marrë trajtim në Klinikën e Gjinekologjisë dhe se më pas është liruar për në shtëpi.
Me rastin, përveç Policisë, është duke u marrë edhe Prokuroria.