Me një muaj vonesë ka filluar mësimi tërëditor në shkollën “Nazim Gafurri”. Për t’i bërë ambientet më të rehatshme për fëmijët, prindërit përmes mjeteve vetjake kanë siguruar shilte për nxënësit. Sipas menaxhmentit të shkollës, një investim i tillë nuk është kërkuar nga ta, por se është bërë me iniciativë të Këshillit të Prindërve të shkollës
Një muaj pas fillimit të vitit të ri shkollor, institucioni arsimor “Nazim Gafurri” në Prishtinë ka nisur mbajtjen e mësimit tërëditor. Por për të ofruar ambiente më të rehatshme për fëmijët, janë angazhuar edhe prindërit të cilët me mjete vetjake siguruan shilte për fëmijët e tyre.
Abide Maxhuni, e cila e ka fëmijën në klasën e parë, ka thënë se i kanë blerë shiltet për t’i vendosur në karrige në mënyrë që qëndrimi ulur të jetë më i rehatshëm për nxënësit.
“Këto i kemi pasur me vetëfinancim. Secili kemi dorëzuar të holla dhe brenda klasës i kemi bërë të gjitha të njëjta, dhe pse më herët i kanë blerë (v.j. prindërit) nga një, por prapë i kemi bërë të njëjta, edhe për ata që nuk kanë mundësi ose s’kanë pasur kushte materiale”, ka thënë Maxhuni.
Alban Hasani, i cili ka dy fëmijët që vijojnë mësimin në këtë shkollë, e sheh këtë si bashkëpunim të mirë të prindërve.
“Nuk është aty problemi se edhe dikush që nuk i ka mundësitë me i ble bëhemi të gjithë tub dhe i blejmë. Ndoshta nuk i plotëson komuna të gjitha kushtet me i ble nuk është diçka tragjike”, ka thënë Hasani.
Drejtoresha e shkollës, Ardianë Makolli, ka thënë se vendimi është marrë nga Këshilli i Prindërve të shkollës. Ajo u shpreh se Komuna i ka siguruar shiltet për nxënësit, por sipas saj prindërit kanë shprehur nevojën që fëmijët të pajisen edhe me disa shilte të vogla.
“Mua më vjen mirë që shkolla jonë dhe komuniteti po i bashkëngjiten kësaj reforme e cila është një nga reformat më të rëndësishme që po ndodh në arsim. Prindërit janë të të kënaqur dhe janë shprehur vullnetarisht që të na ndihmojnë që të zbatohet sa më mirë kjo reforme”, ka thënë Makolli.
Ajo ka treguar se për formën e re të mësimit nuk kanë pasur ankesa nga prindërit.
“Pak e kishim me stres se si do të shkojë dita, por ka shkuar më mirë se që është planifikuar dhe që është menduar”, ka shtuar ajo.
Mësimi tërëditor për nivelin fillor ka filluar në shkollat të cilat kanë pas infrastrukturë të përshtatshme si në: “Qamil Batalli”, “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa”, “Nazim Gafurri” dhe shkollën e Gjelbër.
Dyert e këtyre shkollave hapen në orën 7:45. Fëmijët në klasën e parë dhe në të dytë qëndrojnë në shkollë deri në orën 14:30, ndërsa nga e treta deri në të pestën deri në orën 15:45.
Për shkak të organizimit të mësimit tërëditor, ka pasur lëvizje nxënësish nëpër shkolla. Filloristëve të shkollës “Qamil Batalli” iu janë bashkuar ata të shkollës “Emin Duraku”. E nxënësit e nivelit të mesëm të ulët të të dy shkollave, procesin mësimor e zhvillojnë në shkollën “Emin Duraku”.
Mësimi tërëditor është paraparë edhe për filloristët e Shkollës së Gjelbër e asaj “Nazim Gafurri”. Nxënës të shkollës “Nazim Gafurri” dhe shkollës së Gjelbër, të klasave nga e 6-ta deri në të 9-n janë zhvendosur në objektin e gjimnazit “Eqrem Çabej”. E gjimnazistët e “Eqrem Çabej” janë bartur te gjimnazi “Ahmet Gashi”.
Lëvizje ka pasur edhe në shkollat “Faik Konica” e “Xhemail Mustafa” - nxënësit e klasave të gjashta janë vendosur në objektin e gjimnazit “Xhevdet Doda”. E gjimnazistët e saj do t’u bashkohen bashkëmoshatarëve në Gjimnazin e Specializuar Matematikor.
Për ndryshimet që ka sjell mësimi tërë ditor në shkolla, Komuna e Prishtinës ka hapur tender për të angazhuar një kompani për të zhvilluar fushatë vetëdijesuese për riorganizimin e shkollave në kryeqytet.
15 mijë euro është shuma që i është ndarë një operatorit ekonomik të realizuar këtë fushatë, që ka për detyrë të informojë prindërit për procesin e mësimit tërëditor.