Policia e Kosovës ka sekuestruar një arsenal armësh në veri, e cila dyshohet se u përket dy serbëve të kërkuar për sulmin terrorist në Banjskë. Njohës të çështjeve të sigurisë thonë se prezenca e armatimit kaq të madh në veri e kërcënon stabilitetin në këtë pjesë dhe është tregues se furnizimi i grupeve ilegale me armë nga Serbia është duke vazhduar.
Tri armë automatike të tipit AK-47 dhe një numër i konsiderueshëm i fishekëve të kalibrave të ndryshëm, u gjetën të premten nga Policia në një pusetë kanalizimi, prapa një ndërtese në rrugën Kolashin të Mitrovicës së Veriut.
Vendin ku u gjetën armët, Policia e ndërlidhi me Marjan Radojeviqin, të cilin e ka në listë kërkimi që nga viti i kaluar, për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Veç një orë pas këtij aksioni, në rrugën Çeta e Minatorëve, po ashtu në Mitrovicë të Veriut, në një shtëpi të pabanuar, Policia gjeti edhe një sasi të madhe të armatimit dhe të eksplozivit, lokacion të cilin e ndërlidhi me të kërkuarin tjetër për sulmin në Banjskë, Zarko Cvetkoviq.
Gjatë këtij operacioni të gjerë të Policisë u gjetën pistoleta, armë të gjata me bajoneta, armë të gjata gjuetie, 30 copë eksplozivë, iriq metalikë, jelekë antiplumb e të tjera.
Hysen Gecaj njohës i çështjeve të sigurisë, thotë se prezenca e një sasie kaq të madhe të armatimit në veri, flet për kërcënim ndaj stabilitetit në këtë pjesë të vendit.
“Këto armatime tani në duar të grupeve të ndryshme, shkaktojnë një problem për Kosovën dhe janë një rrezik për kërcënimin e stabilitetit. Këto armatime tani janë nëpër vende të ndryshme të strehuara, ku Policia edhe për një kohë të gjatë do të bëjë kërkime dhe do të gjejë edhe më tutje armatime, sepse e thashë edhe më herët që numri i këtyre armëve është numër shumë i madh”, ka thënë Gecaj.
Sipas tij, prezenca e armëve në veri është tregues për aktivitetet terroriste që janë përgatitur gjithmonë në këtë pjesë të Kosovës të banuar kryesisht me serbë. Ai thotë se aktiviteti është organizuar nga grupe të ndryshme, qofshin paramilitare apo ushtarake të Serbisë, të cilat kanë pasur për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe defunksionalizimin e saj.
“Këto armatime që po gjinden kohë pas kohe, në fakt janë grumbulluar për një kohë të gjatë dhe nuk është ndërprerë asnjëherë që nga mbarimi i luftës. Furnizimi i popullatës në veriun e Kosovës me armatim është bërë, sepse kanë llogaritur që eventualisht do të krijohen kushtet për një kryengritje ndoshta më të madhe në Kosovë. Mirëpo, me ndryshimin e rrethanave gjeostrategjike, të Perëndimit në përgjithësi, të SHBA-së dhe të Britanisë Madhe, por edhe të BE-së, ato synime serbe janë zbehur bukur shumë, sepse nuk janë mundësitë e tilla gjeostrategjike që Serbia të bëjë një invazion në Kosovë”, ka thënë Gecaj.
E Bedri Elezi, po ashtu njohës i çështjeve të sigurisë, vlerëson se pavarësisht operacioneve të Policisë, rreziku në veri është ende i pranishëm.
“Në katër komunat në veri të Mitrovicës, ekziston rreziku që të ketë armatime edhe të tjera dhe se grupet kriminale nuk janë shkatërruar totalisht, porse ka mundësi dhe ekziston rreziku që të njëjtat të riorganizohen, të kenë në posedim akoma armatime të tjera dhe të njëjtët të marrin aktivitete të ndryshme për cenimin e sigurisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë Elezi.
E Gecaj theksoi se furnizimi me armë nga Serbia nuk është ndalur asnjëherë që nga paslufta e as pas sulmit në Banjskë.
“Vetë kapja e armëve të prodhimeve të reja nëpër pjesë të ndryshme të veriut të Kosovës flet që atje ende vazhdohet me furnizime të armatimit të llojeve të ndryshme”, ka theksuar Gecaj. “Dhe kur mbështeten prej një qeverie siç është ajo e Vuçiqit, e cila gjithmonë ka pasur pretendime edhe prej një akteri siç është vetë Vuçiq që ka qenë pjesë e luftës, atëherë politika e tij është shumë e qartë”.
Në një reagim të mbrëmshëm të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thuhet se institucionet nuk do të ndalen në luftën kundër tendencës destabilizuese që vjen nga Beogradi.
Këtë javë, janë realizuar edhe aksione tjera në veri, në të cilat është gjetur arsenal armësh.
Ndërkaq, vetëm arsenali i kapur nga policia në përballje me grupin paraushtarak që organizoi sulmin në Banjskë, është kapur arsenal në vlerë monetare prej më shumë se 5 milionë eurosh.
Armët e konfiskuara të premten në veri:
- Lokacioni 1:
3 Armë të gjata AK-47
4 Karikatorë me 60 fishekë
1 krehër me 11 fishekë
1 këllëf revole
1 çantë ushtarake - Lokacioni 2:
1 rrip brezi me 25 fishekë për armë gjuetie
23 fishekë për armë gjuetie
Pistoletë TT me 1 karikator me 8 fishekë
3 karikatorë me nga 8 fishekë
2 karikatorë në fotrollë
28 fishekë për armë të gjatë
10 krehër me fishekë të armës së gjatë (99 fishekë)
1 kuti me fishekë 7x62
4 pastruese të armës
Kuti me lëndë të dyshimtë - Lokacioni 3:
Armë e gjatë me bajonetë
1 pistoletë me 2 karikatorë me nga 8 fishekë 7x62 dhe 1 fotrollë
Çantë e zezë me pajisje për pastrim të armës
2 kuti me nga 50 fishekë 7x62
3 karikatorë me fotrolla me nga 8 fishekë
Armë e gjatë gjuetie me çantë - Lokacioni 4:
Iriq metalik
Jelek i brendshëm antiplumb
Eksploziv TM 100
1 uniformë
Çantë e zezë me pajisje të ndihmës së parë
Adapter për radiolidhje