Janë duke e rritur ndikimin në veri organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, thotë një studim i publikuar nga Instituti për Siguri dhe Reziliencë – “Prevent”. Dokumenti ka alarmuar se sfida për parandalimin dhe luftimin e tyre është e madhe, për shkak të mishërimit me nacionalistë ekstremistë dhe individë nga ekstremi i djathtë në veri, si dhe shkaku i mbështetjes financiare që kanë nga Serbia e Rusia
Kosova është e kërcënuar nga akte terroriste të cilat sponsorizohen nga Serbia, ka alarmuar një studim i publikuar të shtunën nga Instituti për Siguri dhe Reziliencë – “Prevent”.
Në këtë dokument është theksuar se “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, organizata këto të cilat Qeveria i ka shpallur si terroriste, janë duke e rritur ndikimin në veriun e Kosovës, të banuar kryesisht me serbë.
“Organizatat e tilla ekstremiste, si dhe individët e lidhur me to, aktualisht janë burim kryesor i destabilitetit për qytetarët dhe institucionet e shtetit në Kosovë, me theks të veçantë në çështjet e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit”, është thënë në studimin e “Prevent”.
Sipas studimit, këto grupe dhe organizata ekstremiste e përdorin dhunën si një nga mjetet e tyre kryesore për të arritur qëllimin politik.
Dokumenti ka alarmuar se sfida për parandalimin dhe luftimin e grupeve terroriste, si “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, është e madhe për shkak të mishërimit të tyre të madh me nacionalistët ekstremistë dhe individë nga ekstremi i djathtë, të cilët janë aktivë në veriun e Kosovës.
“Organizatat si ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’ gëzojnë një mbështetje të madhe financiare nga strukturat e krimit të organizuar dhe kontrabandës që operojnë në veriun e Kosovës dhe në Serbi. Përveç mbështetjes nga krimi i organizuar, ato financohen dhe mbështeten direkt nga strukturat shtetërore të sigurisë të shtetit serb gjë që i bën këto dy organizata shumë të fuqishme dhe të rrezikshme për Kosovën”, është bërë e ditur në studim.
Në raport është theksuar po ashtu se ndryshimet gjeopolitike globale, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë edhe në Kosovë. Bazuar në të, ndryshimit i ka kontribuuar zbehja ose zhvendosja e vëmendjes ndërkombëtare për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, e shoqëruar me mungesën e një strategjie të Bashkimit Evropian (BE) për zgjidhjen e problemeve politike ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, si ato në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Sipas studimit, Rusia e cila me luftën e saj e ka orientuar fokusin ndërkombëtar në Ukrainë, është duke i financuar edhe “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”.
“Përveç mbështetjes nga krimi organizuar, ato financohen dhe mbështeten direkt nga strukturat shtetërore të sigurisë të shtetit serb gjë që i bën këto dy organizata shumë të fuqishme dhe të rrezikshme për Kosovën”, theksohet në studim.
Instituti për Siguri dhe Reziliencë – Prevent ka rekomanduar Qeverinë e Kosovës që të zhvillojë qasje më gjithëpërfshirëse për luftimin e terrorizmit dhe të ekstremizmit të dhunshëm ndaj subjekteve që operojnë në veri të Kosovës.