Arbëri

Prevent: Disa kanale në Telegram nxisin aksione kundër Policisë dhe KFOR-it

Protestat në veri

Foto: Arkiv

Platformat dhe kanalet ekstreme në Telegram, si “Bunt,” “Бунт је стање духа” (Rebelimi është një gjendje shpirtërore), “СРПСКИ ГЛАСНИК” (Gazeta Serbe), “Српски вукови” (Ujqërit Serb), dhe të tjera, sipas raportit të Institutit për Siguri dhe Reziliencë (Prevent) janë të angazhuara aktivisht në përhapjen e lajmeve të rreme dhe dezinformimeve që synojnë të demonizojnë institucionet e sigurisë në Kosovë, sidomos Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. 

Sipas raportit me titull “Përhapja e terrorizmit nëpërmjet platformave sociale” këto platforma përdorin narrative që paraqesin Policinë e Kosovës si një forcë të dhunshme dhe të papërmbajtur ndaj serbëve të Kosovës, duke e akuzuar atë për “metoda represive” dhe “spastrim etnik” të serbëve në komunat veriore. 

“Këto akuza janë të pavërteta dhe kanë qëllim të keqinformojnë, duke përshkruar pa bazë si të justifikuara veprimet e Policisë, e cila ka qenë e angazhuar për të mbrojtur rendin dhe ligjin, përballë grupeve të armatosura dhe bandave kriminale që veprojnë në këtë rajon. Përdorimi i termave të tilla si ‘spastrim etnik’ ka për qëllim të shkaktojë frikë dhe të nxjerrë në pah një narrativë të rreme të viktimizimit të serbëve, e cila është shumë larg realitetit të situatës në terren”, thuhet në raport

Sipas raportit këto kanale shpërndajnë gjithashtu thirrje për dhunë, duke nxitur aksione kundër Policisë së Kosovës, KFOR-it, dhe objektivave shtetërorë të Kosovës. “Përmes postimeve të rregullta, këto platforma promovojnë një atmosferë tensioni dhe urrejtjeje etnike, duke incituar pjesë të popullsisë për të kundërshtuar çdo përpjekje të shtetit të Kosovës për të ruajtur kontrollin dhe rendin në komunat veriore. Kjo përfshin nxitjen e akteve të dhunshme si reagim ndaj autoriteteve të Kosovës, duke e paraqitur si ‘rezistencë’ të drejtë, përkundër faktit se shumë nga këto grupe janë të përfshira në aktivitete kriminale dhe terroriste”, thuhet në rraport.

“96.6% e kosovarëve kanë qasje në internet, përdorimi i platformave online rrezik ndaj radikalizimit”

Sipas raportit edhe përqindja e lartë e popullsisë në Kosovë që ka qasje në internet (96.6%) dhe përdorimi i platformave si TikTok, Telegram, Facebook, Instagram, dhe YouTube, e bën vendin veçanërisht të ndjeshëm ndaj radikalizimit online.

Sipas raportit të rinjtë midis moshës 16 dhe 20 vjeç janë demografia më e ekspozuar për shkak të përdorimit të shpeshtë të këtyre platformave dhe mungesës së burimeve për edukim mediatik.
“Përmbajtjet radikale shpesh përshtaten me interesat e tyre për t’i manipuluar dhe për të nxitur angazhimin”, thuhet në gjetjet e raportit.

Sipas raportit grupet ekstremiste fetare dhe etno-nacionalistë po përdorin ankesat sociale dhe ekonomike për të portretizuar institucionet shtetërore në Kosovë si të paafta dhe antimuslimane.

“Ndalimi i përdorimit të shamisë në shkolla është një argument i përdorur për të përhapur një narrativë që portretizon shtetin si armik të vlerave islame. Ekstremistët akuzojnë Kosovën për rreshtim me shtetet perëndimore si armiq të Islamit, duke përdorur këtë për të rekrutuar individë”, thuhet në raport.

Sipas raportit grupet ekstremiste nacionaliste po përdorin gjuhën e urrejtjes ndaj komunitetit mysliman në Kosovë, duke fyer udhëheqësit dhe institucionet fetare islame. “Kjo ka krijuar një mjedis që ushqen ekstremizmin dhe radikalizmin reciprok, si dhe kontribuon në polarizimin e shoqërisë”, thuhet në raport.

Sipas raportit kontrolli i përmbajtjeve të dëmshme në mediat sociale është një sfidë e madhe për institucionet në Kosovë. 

“Kornizat ligjore dhe mungesa e koordinimit mes agjencive të sigurisë e bëjnë të vështirë mbikëqyrjen dhe parandalimin e përhapjes së radikalizmit online. Mungesa e bashkëpunimit me platformat ndërkombëtare të mediave sociale dhe kapacitetet e kufizuara për monitorim janë ndër sfidat kryesore”, thuhet në raport. 

Sipas raportit ekstremistët e përdorin Perëndimin, përfshirë NATO-n dhe SHBA-në, si armiq të Islamit dhe traditave vendase, duke i fajësuar për shkatërrimin e vendeve islame dhe ndikimin imperialist. “Konfliktet globale si Lufta mes Hamasit dhe Izraelit dhe Lufta Rusi-Ukrainë janë përdorur për të mbështetur këtë narrativë dhe për të rekrutuar individë për kauza ekstreme”, thuhet në raport.

Sipas këtij raporti masat e marra nga platforma si Facebook dhe YouTube për kufizimin e përmbajtjeve radikale kanë bërë që grupet ekstremiste të kalojnë në platforma të koduara si Telegram dhe aplikacione të ngjashme. “Këto platforma ofrojnë një hapësirë të sigurt për komunikim anonim, duke u mundësuar ekstremistëve shpërndarjen e përmbajtjeve ideologjike, planifikimin e aktiviteteve dhe rekrutimin e individëve pa ndonjë rrezik të dukshëm për t’u zbuluar”, thuhet në raport.

Në raport konfliktet globale përshkruhen si katalizatorë të ekstremizmit.

“Konfliktet globale, si lufta midis Rusisë dhe Ukrainës apo konflikti izraelito-palestinez, janë shfrytëzuar nga organizatat ekstremiste për të përhapur narrativat e tyre dhe për të justifikuar aktet e dhunshme. Grupet si Hamas, Mbrojtja Civile,  ISIS dhe Hayat Tahrir al-Sham përdorin pamjet e luftës dhe propagandën për të nxitë përkrahje për kauzat e tyre dhe për të rekrutuar individë nga Kosova dhe Ballkani”, thuhet në raport.

Tutje në raport thuhet se ekstremistët përdorin një kombinim të narrativave fetare dhe etno-nacionaliste për të polarizuar komunitetet dhe për të thelluar ndarjet shoqërore. 

“Për shembull, Telegram përdoret për të lidhur konflikte globale, si ato në Palestinë, me narrativat lokale, duke krijuar ndjesi viktimizimi dhe martirizmi që mund të ndikojnë në radikalizimin e individëve”, thuhet në raport.

Tutje thuhet se ekstremistët islamikë përdorin një version të shtrembëruar të Islamit duke e paraqitur si “rikthim në bazë” për të rekrutuar individë vulnerabël dhe për të promovuar ideologjinë e tyre.

“Përdorimi i koncepteve fetare si ‘xhihadi’, ‘Lufta e Shenjtë’, dhe ‘Shehid’ është i shfrytëzuar për të justifikuar konfliktet dhe rekrutimin e individëve për luftëra të dhunshme, si në Siri, Palestinë dhe Liban”, thuhet në raport.

Tutje thuhet se ekstremistët përdorin bombardimin e Gazës dhe ngjarje të tjera për të krijuar materiale radikale dhe për të mobilizuar ndjenja anti-perëndimore dhe armiqësore ndaj Izraelit. “Kudsi është paraqitur si ‘tokë e shenjtë e uzurpuar’ dhe përdoret për të nxitë ndjenja të padrejtësisë dhe për të justifikuar dhunën si një ‘detyrim moral’ për myslimanët”, thuhet në raport.