Presidentja Vjosa Osmani dhe as kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk treguan se si do të zhbllokohet procesi i konstituimit të legjislaturës së re. E, përfaqësues të Vetëvendosjes theksuan se është siguruar shumica dhe se rezultatet e kësaj do të shihen të shtunën, për kur është planifikuar vazhdimi i tretë i seancës konstituive.
Dy përfaqësuesit më të lartë shtetërorë kanë refuzuar të flasin për zgjidhjen që duhet dhënë ngërçit në konstituimin e institucioneve të reja.
Pasi të martën dështoi konstituimi i legjislaturës së re, presidentja Vjosa Osmani ka theksuar nëpërmjet një përgjigjeje për kryesuesin e seancës, se zgjidhja duhet gjetur brenda Kuvendit. Por, një ditë pas dështimit të sërishëm për të gjetur zgjidhje, Osmani nuk ka dhënë një sugjerim të ri, duke u arsyetuar se nuk ishte vendi i duhur për këtë.
“Ju e dini që e kemi një praktikë që çdo herë kur i përkujtojmë dëshmorët dhe martirët për shkak të nderimit ndaj tyre, nuk përziejmë tema politike me këtë nderim”, ka thënë Osmani.
Bllokada në seancën konstituive është krijuar, meqë të martën nuk u miratua raporti i komisionit për verifikimin e mandateve. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kundërshtuan dokumentin nën arsyetimin se anëtarët e qeverisë nuk kanë dhënë dorëheqje para se t’i marrin mandatet si deputetë. Raporti nuk u vu në votim as në vazhdimin e seancës dy ditë më vonë, meqë palët kanë pikëpamje të ndryshme mbi procedimin e dokumentit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka treguar nëse partia e tij ka siguruar votat e mjaftueshme për ta tejkaluar ngërçin në vazhdimin e tretë të seancës, që është planifikuar për të shtunën.
“Ajo është nesër a po?” ka thënë ai.
Por, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se Vetëvendosja e ka siguruar shumicën.
“Patjetër që numrat i kemi. Ne jemi të vetëdijshëm, të gjithë, që Lëvizja Vetëvendosje është partia fituese dhe nuk është fituese dosido... Opozita duke e parë këtë rrezik për ta e pengoi që dy seanca radhazi konstituimin e Kuvendit që është një goditje ndaj demokracisë...” ka thënë ai.
Ai ka paralajmëruar mundësinë edhe për konfirmimin e koalicionit me Nismën dhe ka thënë se Vetëvendosja është përcaktuar edhe për kandidatin për kryeparlamentar.
“Besoj që kjo do të bëhet e ditur nesër, të shtunën kur edhe është planifikuar dhe seanca e radhës... Patjetër që ne nuk futemi në seancë pa pasur emër (kryeparlamentarit)”, ka thënë ai.
Lëvizja Vetëvendosje ka dalë subjekt i parë në zgjedhje, duke siguruar 48 nga 120 vendet në Kuvend. Për ta votuar kryeparlamentarin dhe për ta formuar qeverinë, i duhet mbështetja e së paku 13 deputetëve të subjekteve të tjera politike.