Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, do të jetë për vizitë këtë të enjte në Kosovë, ku do të pritet nga homologia Vjosa Osmani. Ai do të qëndrojë në Prishtinë edhe të premten.
Takimi do të zhvillohet në orën 13:00, dhe mediat do të kenë mundësinë të filmojnë pamje nga pritja dhe fillimi i bisedimeve.
Pas takimit, Osmani dhe Rinkevics do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.
Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ndërmarrë masa të veçanta për të garantuar rendin dhe sigurinë publike gjatë qëndrimit të delegacionit letonez dhe lëvizjes së eskortës zyrtare.
Për të mundësuar një zhvillim të rregullt të agjendës së vizitës, Policia do të kryejë ndërprerje të përkohshme të trafikut në disa segmente rrugore, si dhe riorientim të qarkullimit në rrugë alternative. Këto masa do të jenë të përkohshme dhe të shkurtra, me qëllim garantimin e një qarkullimi sa më të lehtë dhe të sigurt.
Policia e Kosovës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik, duke i ftuar ata që të respektojnë udhëzimet për një mbarëvajtje sa më të mirë të kësaj vizite zyrtare.