Arbëri

Presidenti e kryeministri shkelin Ligjin për AKI-në

Në foto: Kreshnik Gashi

Janë bërë më shumë se tre muaj prej kur është shkarkuar Kreshnik Gashi nga pozita e drejtorit të AKI-së. Presidenti dhe kryeministri ende nuk e kanë emëruar drejtorin e ri, pavarësisht faktit që neni 5 i Ligjit për AKI-në kërkon që kjo të bëhet brenda 20 ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë

Prej tre muajsh presidenti dhe kryeministri janë duke shpërfillur detyrimet që burojnë nga Ligji për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Kreshnik Gashi ishte drejtor i AKI-së deri më 17 dhjetor të vitit të shkuar, kur u shkarkua pas skandalit me kasafortën e Presidencës, në të cilën u tentua të merreshin jashtëligjshëm dokumente të klasifikuara.

Prej atëherë kanë shkuar më shumë se tre muaj dhe kryespiuni i ri nuk është emëruar. Është vepruar kësisoj, pavarësisht faktit se neni 5 i Ligjit për AKI-në kërkon që shefi i shtetit dhe ai i Qeverisë ta emërojnë së bashku drejtorin brenda 20 ditësh pune, nga dita kur pozita mbetet e lirë.

Në Qeveri thanë se emërimi do të bëhet së shpejti.

“Siç e dini, emërimi i drejtorit të AKI-së bëhet në bashkëpunimin mes kryeministrit dhe presidentit të Republikës së Kosovës. Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë dhe urgjencën e kësaj çështjeje. Së shpejti do të kemi drejtorin e ri të AKI-së, emërimi i të cilit do të jetë i ligjshëm dhe kushtetues”, thotë Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë. “Do të jetë një person me kompetenca profesionale, integritet njerëzor, apartiak, apolitik dhe në shërbim të shtetit”.

Prej kur ka ndodhur shkarkimi janë ndërruar edhe titullarët e institucioneve.

Vjosa Osmani, e cila një ditë më parë është zgjedhur presidente, duke qenë ushtruese e detyrës së këtij funksioni, pati ndërmarrë nismën e shkarkimit të Gashit. E pati bërë me miratimin e kryeministrit të atëhershëm, Avdullah Hoti. Por, këta dy nuk u akorduan për emrin e ri të drejtorit të AKI-së.

Ndërkohë kryeministër është bërë Albin Kurti dhe, pavarësisht që ka për bashkëpunëtorë të ngushtë edhe Vjosa Osmanin e edhe Glauk Konjufcën, i cili për disa ditë ka ushtruar detyrën e shefit të shtetit, sërish nuk e kanë nxjerrë një emër të përbashkët për ta vënë në krye të AKI-së.

Opozita në Kuvend ka paralajmëruar se së shpejti do ta ngrejë këtë çështje si shqetësim.

“Në këtë javë konstituohet komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së. Një nga temat e para do të jetë trajtimi i kësaj çështjeje, sikurse që ka edhe shumë të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë e vendit, të cilat duhet t’i trajtojmë”, thotë Bekë Berisha, anëtar i AAK-së në Komisionin parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së. “Besoj që pas mbledhjes dalim me qëndrime”.

Në vitet e fundit AKI-ja nuk është bërë rehat me drejtorin. Bashkim Smakaj është i vetmi që e ka çuar mandatin deri në fund. Ai ishte riemëruar edhe për një mandat, por një vit më pas pati dhënë dorëheqjen. Katër drejtorët që u emëruan prej atëherë e deri tash ose u dorëhoqën, ose u liruan nga detyra.

Në ditën e dytë pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga pozita e kreut të shtetit, nga stafi i Vjosa Osmanit, që atëkohë ishte shtruese detyre e presidentes e nga e diela presidente fuqiplote, ishte kumtuar informata se sekretari i Presidencës, Driton Gashi, dhe një person tjetër që ishte prezantuar si agjent i AKI-së ishin zënë në flagrancë tek përpiqeshin ta hapnin kasafortën me dokumente të klasifikuara.

Pas skandalit përgjegjësia u adresua tek dy njerëz që ishin në krye të AKI-së. Shefi i saj, Kreshnik Gashi, u lirua nga detyra. Ndërkaq është përjashtuar sekretari Driton Gashi, i cili para se të shkonte në Presidencë po kështu ishte shef i AKI-së.